Arsim & Kulturë

AAB lanson projektin hulumtues për ndikimin e teknologjisë informative dhe mediave në shëndetin mendor

“AAB Summer Project” është projekti që AAB ka lansuar për studentët e vet, e që do të implementohet gjatë pushimeve verore 2021. Kjo iniciativë do të grumbullojë studentët nga Fakultetet e Psikologjisë, Komunikimit Masiv dhe Shkencave Kompjuterike, në një projekt madhor hulumtues, me ç’ rast studentët, në bashkëpunim me stafin mësimdhënës, do të hulumtojnë tema të ndërlidhura me ndikimin e teknologjisë informative dhe mediave në shëndetin mendor.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është që tek studentët të zhvillojë kapacitetet hulumtuese, por gjithashtu, atyre t’ u ofrojë një gamë të gjerë të aktiviteteve informuese dhe rekreative me të cilat ata do të mbeten të përfshirë në procesin edukativ edhe gjatë pushimeve verore.

Hulumtimet të cilat do të zhvillohen gjatë verës, synohet që të kurorëzohen me një konferencë shkencore e cila do të organizohet në Kolegjin AAB në muajin tetor 2021.

Përpos aktivitetit hulumtues, në kuadër të projektit, çdo javë, do të organizohen edhe aktivitete të tjera si ligjërata me profesionistë të fushave, shikim i filmave dhe aktivitete tjera rekreative.

Në takimin e fillimit të projektit, morën pjesë përfaqësuesit e rektoratit të Kolegjit AAB dhe studentët hulumutes. Me këtë rast dekani i Fakultetit të Psikologjisë Naim Telaku, në emër të tri fakulteteve, shpalosi idenë dhe specifikat e realizimit të projektit.