Aktuale

AAK prezanton kandidatët për kryetar të Gjakovës dhe Pejës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kandiduar për kryetar të komunës së Gjakovës, Ardian Gjinin, ndërsa për kryetar të Pejës, Fatmir Gashin.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj iu ka dorëzuar kandidaturat për kryetar të komunës së Gjakovës, Aridan Gjinit dhe atij për kryetar të Pejës, Fatmir Gashit, duke i cilësuar si dy komuna të rëndësishme për Kosovën.

Ai tha se kandidati i nominuar për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini ka njohje të shumta jo vetëm për qeverisje por edhe për politikën dhe ka një dashuri të madhe për vendlindjen e tij, Gjakovën.

“Arsyeja e takimit tonë me ju sot është nominimi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të kandidatëve për kryetar prej dy prej komunave me rëndësi të madhe për Kosovën, është për Gjakovën dhe Pejën…..Ardian Gjini përpos aftësimeve profesionale, master në Angli ka njohje të shumta temave jo vetëm në qeverisje por edhe politike e ka një dashuri të madhe për vendlindjen e vetë, për Gjakovën, për njerëzit e Gjakovës”, tha ai.

Ndërsa për, Fatmir Gashin, Haradinaj tha se është një mundësi shumë e mirë për Pejën, për një zhvillim të hovshëm ekonomik.

Ndërsa, kandidati i nominuar për kryetar të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se shumë shpejtë Ramush Haradinaj do vijë si kryeministër.

Për Gjakovën tha se motivi kryesor i tyre është bashkimi i qytetarëve të Gjakovës dhe ngritja në këmbë e kësaj komune.

“Kosova, vendi jonë ka nevojë për një kryeministër si Ramush Haradinaj edhe po vjen shpejtë, mendoj që shumë shpejtë qytetarët kanë me pa që munet me ndodh diçka mirë në këtë vend se kanë nisur me e humb besimin …..Për Gjakovën po e them kështu kushti i parë për me bo diçka në një vend është me i bo njerëzit bashkë jo me nda, jo me i qa, jo me i prish mes veti. Nuk mundet ma pas kurfar zhvillimi aty ku dikush punon me i bo njerëzit mos me dashtë njëri tjetrin, motivi jonë kryesor në Gjakovë ka me qenë me i bo bashkë të gjithë banorët e komunës së Gjakovës edhe me qu në këmbë njërën prej komunave e cila ka qenë motor i zhvillimit në Kosovë“, tha ai.

Kandidati nga AAK për kryetar të Pejës, Fatmir Gashi duke akuzuar qeverisjen aktuale të këtij qyteti, tha se me qeverisjen e tij në këtë komunë, Peja do të bëhet një qytet i rëndësishëm ekonomik e kulturor për Kosovën.

“Pejën e cila në katër vjet që kaluan u degradua, Peja në të cilën qytetari e humbi dinjtetin, Pejë në të cilën duhet të kthehet perspektiva, duhet të ndalet eksodi dhe duhet të kthehet zhvillimi. Peja në fund të mandatit do të jetë një qytet i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, qytet i rëndësishëm kulturor, historik se e ka historinë e vetë e ka trashëgiminë e vetë kulturore të cilën e mbuluar me godina, me dhe, dhe nuk lënë t’i zbulojnë, Peja e cila do të jetë edhe atraksioni turistik i Kosovës” ,tha ai.

Sa i përket kandidimit të Daut Haradinaj për kryetar të Deçanit, lideri i AAK-së, ka thënë se janë në fazën e diskutimeve dhe shumë shpejt do të vendoset edhe për këtë komunë. /kp