Aktuale

AAK prezanton strategjinë 10 vjeçare për zhvillim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka prezantuar Strategjinë e Zhvillimit të Republikës së Kosovës, me të cilën u tha se do të ndërpriten vendimet ad-hoc siç kanë ndodhur deri më tani.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha në një konferencë për medie se qeverisja e deritashme e vendit me vendime të aty për atyshme në shumicën e  rasteve ka qenë e dështuar.

Andaj, ai shtoi se kjo strategji i dedikohet të gjithëve që do të mund të qeverisin me vendin nga viti tjetër.

 

“Jemi dëshmitarë se Kosova në planin e zhvillimit të gjithmbarshëm, të zhvillimit ekonomik që nga paslufta jeton në improvizime, me vendime ad-hoc, me vendime qeverisëse, disa prej të cilave kanë rezultuar dhe të dështuara ose nuk kanë ndodhur fre. Jemi të bindur se e tëra kjo vjen nga mungesa e strategjisë  së zhvillimit afatgjatë të Republikës së Kosovës. Janë bërë tentativë në këtë drejtim, mirëpo asnjëra deri sot nuk ka rezultuar e suksesshme, mund të ju them se në Aleancë i kemi filluar punët, pra po ndodh hartimi i strategjisë së zhvillimit afatgjatë 2017/2027 për Republikën e Kosovës mirëpo e gjithë kjo punë falë përgjegjësisë së marrë nga koordinatori i përgjithshëm, profesori Musa Limani”, tha ai.

Ndërkohë, për hartimin e kësaj strategjie, koordinator i cili do të merret me të është zgjedhur Musa Limani.

Ai tha se e veçanta e këtij dokumenti është se do të hartohet nga institucionet dhe punonjësit shkencor në vendin tonë.

 

“E veçanta e këtij dokumenti, i strategjisë zhvillimore do të jetë ajo se tani këtë dokument do ta hartojnë institucionet shkencore duke i kyçë edhe punëtorët shkencorë të vendit dhe normalisht do ta kthej trurin ose punëtorët shkencor të Kosovës të cilët deri më tani kanë qenë jashtë lojës. Pra, kjo do të jetë një hap shumë pozitiv që qeveria e ardhshme e Kosovës pra, zhvillimin ekonomike do ta mbështes në një dokument i cili do të hartohet nga institucionet shkencore dhe punëtorët shkencor, që do të ketë një bazë shkencore dhe në këtë drejtim ne do të arrijmë që zhvillimi ekonomik nuk do të bëhet me deklarata politike siç ishte rasti deri më tani”, tha Limani.

Në konferencë u tha se kjo do të jetë Kushtetutë e zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit.

Ndërkohë, të pranishmit thanë se kjo strategji do të vlejë dhe është e zbatueshme nga secila Qeveri që mund të udhëheqë me vendin në të ardhmen./kp