Aktuale

Abrashi: Demarkacioni në Kuvend pas mocionit, i kemi numrat

Pas dështimit të mbledhjes së Qeverisë, ku pikë e rendit të ditës ishte demarkacioni me Malin e Zi, dhe pas takimit me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe ambasadorin e SHBA ve Greg Delawie, kryeministri i vendit Isa Mustafa, është takuar me anëtarët e Kryesisë së LDK-së, në selinë e kësaj partie.

Pas këtij takimi as kryetari i partisë Mustafa e as anëtarët tjerë të partisë nuk kanë folur, përveç Arban Abrashit i cili është edhe zëdhënës i Qeverisë. Abrashi tha se ishte një takim joformal i kryetarit Mustafa me disa nga anëtarët e kryesisë, të cilët kanë diskutuar për atë që ka ndodhur paradite, pas takimit që kishte Mustafa me partnerin e koalicionit dhe ambasadorin Delawie. Ndërsa tha se Demarkacioni pritet të shkojë në Qeveri dhe Kuvend, pas seancës së të mërkurës, ku në rend dite do të jetë mocioni, për rrëzimin e qeverisë.

“Ka qenë një takim jo formal i kryetarit me disa me anëtarëve të kryesisë. Thjeshtë një diskutim për atë se çfarë ka ndodh sot paradite. Edhe ajo vetëm është e njohur për publikun. Ka pasur një takim në mes të partnerëve të koalicionit, në prani të përfaqësuesve të SHBA- ve, ku është diskutuar edhe çështja e demarkacionit dhe tani siç dihet dhe për publikun, çështja e demarkacionit do të paraqitet në Qeveri dhe në Kuvend pas të mërkurës.. Demarkacioni do të vie në rend dite dhe do të kalojë pas të mërkurës, pas mocionit”, tha ai.

Abrashi beson që mocioni i opozitës për rrëzimin e Qeverisë nuk do të kalojë. Ndërsa tha se LDK i ka votat për kalimin e demarkacionit

 

“Po besoj që i kemi votat. Me rëndësi me u largu vizat dhe qytetarët me udhëtu lirshëm, pas 90 ditëve”, tha ai.

Të mërkurën do të mbahet seanca me vetëm një pikë të rendit të ditës, ajo për mocionin e mosbesimit të Qeverisë iniciuar nga opozita/KP