Aktuale

Abrashi: Veteranët i kategorizuam që të mos prishemi me FMN-në

Qëllimi i kategorizimit të veteranëve të tri periudhave të luftës është bërë për shkak të mos prishjes së marrëdhënieve të Qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe që mos të ketë pakënaqësi.

Kështu ka thënë ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në një ligjëratë të hapur në Kolegjin “Iliria”, i cili ka folur në lidhje me skemën pensionale, subvencionet dhe Agjencinë e Punësimit, raporton Ekonomia Online.“Kemi nxjerr një Udhëzim Administrativ me pensionet bazike, ku kemi shpëtuar rreth 10 milionë euro.

Jemi pjesë e programit me FMN-në dhe kemi bërë çmos që të mos dalim nga ky program. Qëllimi i kategorizimit të veteranëve të tri periudha të luftës sipas Abrashit është bërë që të mos prishen marrëdhëniet me FMN-në, por edhe mos të ketë konflikt të veteranëve”, ka thënë Abrashi, duke shtuar se kategorizimi i veteranëve ka qenë pjesa më e vështirë.

Rikujtojmë se kategorizimi i Veteranit luftëtar të UÇK-së, si përfitues i pensionit dhe beneficioneve të tjera, përcaktohet në përputhje me kohën e mobilizimit dhe shërbimit në UÇK, si në vijim:

Kategoria e parë, Veterani luftëtari UÇK-së, i mobilizuar në luftë nga viti 1991 deri më 5 mars 1998 dhe ka qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës.

Kategoria e dytë, Veterani luftëtari UÇK-së, i mobilizuar në luftë nga luftë pas datës 5 mars 1998 dhe ka qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës.

Kategoria e tretë, Veterani luftëtar UÇK-së, i mobilizuar në luftë pas datës 31 mars 1999 dhe ka qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës, si dhe Veterani luftëtar UÇK-së, i mobilizuar në luftë nga viti 1991, përkatësisht pas 5 mars 1998, por që nuk ka qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës.

Pensioni mujor i veteranit luftëtar, sipas kategorive, është:
Kategoria e parë,250 euro

Kategoria e dytë, 170 euro

Kategoria e tretë, 120 euro.