Sport

Aguero hedh dyshim mbi rinisjen e Premierligës: Lojtarët janë të frikësuar

Ylli i Manchester Cityt, Sergio Aguero, ka thënë se lojtarët u frikësohen rreziqeve që do të duhet t’i ndërmarrin kur të kthehet futbolli, gjatë krizës së koronavirusi, pasi që Premierliga po vazhdon të punojë për rinisjen e kampionatit.

Bota e futbollit ka mbetur e paralizuar që nga marsi shkaku i përhapjes së koronavirus, përderisa ligat franceze, holandeze dhe belge kanë vendosur t’i ndërprenë kampionatet për sezonin 2019/20, transmeton Gazeta Express.

Në Angli ende po shpresohet se liga mund të rinisë dhe se sezoni mund të kompletohet në fushën e blertë, përderisa klubet e Premierligës do të takohen të premten për t’i diskutuar planet se si të vazhdojë gara në qershor.

Gary Neville u shpreh qartësisht kundër kësaj ideje, duke pyetur se sa lojtarë do të duhet të vdesin para se autoritet ta kuptojnë se s’duhet të rinisë futbolli. Tani Aguero i është bashkuar shqetësimeve të ish-mbrojtësit legjendar të Manchester Unitedit.

“Shumica e lojtarëve janë të frikësuar sepse ata kanë familje; ata kanë fëmijë, kanë foshnje, kanë prindër. Kur ne të kthehemi, unë mund ta imagjinoj që do të jetë shumë e tensionuar”, ka thënë Aguero.

“Ne do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Po atë moment kur dikush të sëmuret, ne do të mendojmë: “Çka po ndodh?””.

“Shpresoj të gjendet një vaksinë në mënyrë që e gjitha kjo të përfundojë. Më frikëson edhe mua, por unë kam qenë këtu vetëm me të dashurën time. Nuk kam pasur kontakt me njerëz të tjerë”.

the authorGazetaKNN