Aktuale

Ahmeti kritikohet nga opozita për raportin e shpenzimeve

Asamblistët e komunës së Prishtinës nuk e kanë votuar raportin vjetor buxhetor për vitin 2016, lidhur me shpenzimin e parasë publike.

Kjo pikë e rendit të ditës ka nxitur  debat në mes zyrtarëve të komunës në njërën anë dhe asamblistëve të opozitës nga njëra ana.

Këta të fundit në mbledhjen e Kuvendit Komunal kanë paraqitur shumë vërejtje  për mënyrën e shpenzimeve dhe të hyrave.

Flamur Shala, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së  ka thënë se raporti nuk është i plotë sidomos në projektet kapitale.

Ai tha se shpenzimet janë rritur për rreth gjysmë milioni euro që për të kjo është enorme.

 

“Kur e marrim dhe e shohim pasqyrën e buxhetit dhe realizimin e tij, sidomos në zbatimin e projekteve kapitale nuk ka dokumente shtesë të cilat do të na sqaroni secilin pozicion buxhetor lidhur me shpenzimet. Po unë po i them dy fjalë lidhur me te hyrat vetanake . Sepse ne e shohim një ngritje të këtyre të hyrave , krahasuar me vitin paraprak dhe se ato të hyra konsistojnë dhe ajo  ngritje në disa pozicione buxhetore siç janë , lejet e ndërtimit. Bile mandej krahasuar me vitin 2015-të , është ngritje shumë e madhe. Pse ndodh kështu dhe çka ka ndodh si është e mundshme që për një vit fiskal dhe buxhetore të ketë ngritje kanë që madhe. Kur e kemi parasysh që në vitin 2015-të kanë qenë të arkëtuara diku rreth 6 milion e gjysmë që është buxheti më i ulët i mundshme ndërsa në vitin 2016-të e kemi 10 milion e gjysmë. Kjo rritje e krahasuar nuk është rritje e trendit , sepse taksat për leje të ndërtimit dhe përgjithësisht të buxhetit do të duhej të ishte shumë më i lartë se sa që është tani “, tha Shala.

Edhe Muhamet Selmani nga  PDK-ja tha se ekzekutivi ka dështuar në buxhetin për  vitin 2016 si në të hyra ashtu edhe në realizimin e projekteve.

 

“Skandaloze mund ta quaj dështimin e investimeve kapitale ku janë të realizuara vetëm 58.2 përqind të planit apo thënë ndryshe nga 83.95 milionë të planifikuara për këtë kod në vitin 2016-të janë realizuar vetëm 19.75 milionë euro. Apo nga kjo del se komuna ka humb në investime kapitale në vlerë prej 14.2 milion euro vetëm në vitin 2016-të. Kësaj shume nëse ia shtojmë edhe shumën mbi humbjet e pa realizuara të vitit 2014-të dhe 2015-të, del se Komuna tre vitet e fundit në vetëm investime kapitale ka humbur rreth 49.3 milionë euro”, tha Selmani.

Në këtë mbledhje Agim Gashi i LDK kërkoi shpjegime nga kryetari Ahmeti për projektin e rrethrrotullimi Lakrishtë – Arbëri.

 

“Unë së paku nuk e kam të qartë si kanë mbërri të shpenzohen ato mjete ku unë nuk e di ku është ai rrethrrotullim. Se tjerat nuk po i përmendi se i përmendën parafolësit e mi. Do të ishte mirë që për këto gjëra të na japin disa sqarime”, tha Gashi.

Gashi tha se vitin që shkoi në Prishtinë nuk është ndërtuar asnjë objekt shkollor në Prishtinë.

Më i ashpër në këtë debat ishte Shefki Gashi , i cili duke kritikuar zyrtarët e komunës ka thënë se shpenzimet për derivate janë marramendëse. Gashi tha se një veturë e komunës vetëm brenda një dite janë shpenzuar 26 litra naftë.

 

“Unë jam në asamble qe sa vite, kemi pas edhe kryetar të tjerë edhe drejtor është raportuar për buxhetin, shpenzimet, planifikimet të gjitha këto . Për mu kjo është një skandal i paparë , në kohën e tërë kësaj teknologjie e cila ta jap mundësinë me mbajt një kontroll më të mirë. Këtu ose mungon dija ose përvoja , ose vullneti me punu ma mirë…26 litra me i harxhua mesatare një makinë e  Komunës naftë, 4 mijë kubik  “, tha Gashi.

Por ndaj kësaj deklarate të Gashit ka reaguar kryetari Shpend Ahmeti i cili i tha se i ka bërë gabim llogaritjet.

 

“Gabim e ke , Q 7-shi t’i harxhon 26 litra, këta si harxhojnë .Je habit..”, tha Ahmeti.

Polemikat mes Ahmetit dhe Gashit kanë vazhduar pa ndërprerë derisa kryetari është detyruar që të dalë jashtë mbledhjes.

Por kritikat e opozitarëve i ka  kundërshtuar  drejtori i Administratës Muhedin Nushi, i cili tha se shpenzimet për vetura këtë vit kanë qenë 9.6 litra naftë në ditë.

Ai për këto tha se është keqkuptim për këto shpenzime sepse sipas tij në

 

“Gjatë vitit 2016 janë zhpenzuar gjithsej 55 mijë e 198, 89 euro për 58 automjete. Çdo muaj që unë e marr raportin nga shefi i ‘Autoparkut’ merret saktë për çdo automjet. Këto raporte unë mundem t’ua dërgoj ku të dëshironi në mënyrë që të vërtetoheni. Gjatë vitit që shkoi mesatarja e shpenzimeve për një automjet është 9.6 litra për dallim nga viti 2015  që ka qenë 15.6 litra. Këto janë të vërtetat për shpenzimet e automjeteve. Sasia tjetër që është përmend që e përmendet iu kanë bashkangjitur këtij kodi buxhetor për arsye të lëndës djegëse për ngrohje të institucioneve”, tha Nushi.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal është miratuar propozimvendimi i planit për qoshqe dhe dhënia në shfrytëzim të përkohshëm e pronës komunale për këto qoshqe.

Gjithashtu, u diskutua edhe raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, ku pati diskutim mes asamblistëve dhe ekzekutivit komunal./KP