Aktuale

Ahmeti prezanton disa projektet e tij për 4 vitet e ardhshme

Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti prezantoi sot disa nga projektet kapitale që do të realizohen gjatë katër viteve të ardhshme.

Ai foli për rikonstruktimin e sheshit “Adem Jashari”, që do të kushtojë rreth 300 mijë euro, dhe do të jetë një hapësirë e përshtatshme edhe si shëtitore, edhe si vend pushimi.

Ky shesh do të ndërlidhet me Qendrën Historike ku do të ndërtohet Tregu i ri, projekt ky i madh që do të kushtojë rreth 4 milionë euro dhe do ta ringjallë atë pjesë të qytetit. Sheshi “Adem Jashari” do ta krijojë mundësinë e lidhjes me pedonalen e rinovuar të rrugës “UÇK”, e deri tek shkallët e lagjes Arbëria, shkallë këto që do që do të përbëjnë një shteg karakteristik të këmbësorëve me gjithë hapësirat tjera përcjellëse për qëndrim. Projekti i këtyre shkallëve do të përfundohet në pjesën e parë të vitit 2018, dhe do të kushtojë rreth 500 mijë euro.

Më tej, kryetari Ahmeti prezantoi edhe idenë për Sallën Koncertale, që planifikohet të jetë në objektin ku sot është ATK. Lokacioni i tillë është shumë i përshtatshëm për shkak të afërsisë me sheshin kryesor të qytetit dhe me Teatrin Kombëtar.