Aktuale

Aksidenti i Velipojës, Policia në kërkim të 2 makinave, shoferi që vdiq i mori me qira

Policia e Shkodrës rikthen dhe një herë historinë tragjike të 2 gushtit në Velipojë, kur humbën jetën 4 të rinj, dy shqiptarë dhe dy italianë. 

Ata ranë me makinë në kanalin e Hidrovorit, në afërsi të lagunës së Vilunit. Gati tri javë nga kjo ngjarje, Policia ka ndërhyrë sërish, këtë herë për të gjetur dy automjete “të zhdukura”.

Sipas njoftimit të Policisë, theksohet se, shtetasi Besmir Kola, i cili humbi jetën në aksidentin tragjik, më 24 korrik kishte marrë me qira dy makina, në një shoqëri në njësinë Gruemirë të Bashkisë Malësi e Madhe, por nuk i ka kthyer.

Nga sa bëhet e ditur nga Policia, Besmir Kola duhej që brenda datës 26 korrik, pra dy ditë nga data kur kishte marrë mjetet, t’i kthente sërish. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe pas 8 ditësh Besmir Kola, 29 vjeç, banues në Lezhë, humbi jetën në aksidentin tragjik. Komisariati i Policisë në Malësinë e Madhe ka referuar materialet në Prokurorinë e Shkodrës për ngjarjen në fjalë për ta zbardhur plotësisht, shkruan Panorama.

Nga ana tjetër, Policia ka nisur prej kohësh hetimet dhe është vënë në kërkim të dy mjeteve që shtetasi Besmir Kola i mori me qira. Makina me të cilën u aksidentua nuk është asnjëra prej atyre që Policia pretendon se i ka marrë me qira. Mjetet për të cilat ende nuk janë kthyer janë të tipit “Kia” dhe “Benz”, ndërsa Besmir Kola bashkë me tre shtetasit e tjerë u aksidentuan me një mjet të tipit BMW me targë AA 767 HF.

AKSIDENTI

Ka qenë ora 02:30 e 2 gushtit kur 4 persona u aksidentuan duke humbur jetën. Makina me katër të rinjtë, dy nga Shqipëria dhe dy nga Italia humbën jetën pasi përfunduan në kanalin e Hidrovorit duke mos arritur që të shpëtojnë.

Në mjet ndodheshin shtetasit: Besmir Kola, Artenisa Peraj, të dy nga Lezha dhe dy italianët Giorgo Angelo De Serio dhe Giovani Sanguedolche. Ky aksident që i mori jetën katër të rinjve erdhi si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara, errësirës në rrugë dhe mungesës së sinjalistikës së duhur.

Te vendi i aksidentit është një kthesë e vështirë, të cilën Besmir Kola që po drejtonte mjetin nuk e ka parë në kohë dhe makina ka përfunduar në kanalin e Hidrovorit. Shkak i vdekjes së tyre nuk është bërë përplasja nga aksidenti, por mbytja në ujë si shkak i mungesës së oksigjenit.

Katër të rinjtë kishin ardhur në Velipojë për t’u argëtuar në një disko, në lagunën e Vilunit. Besmir Kola pak ditë pas aksidentit kishte ditën e dasmës e ndërsa Artenisa Peraj do të shpallte fejesën në dasmën e kushëririt të saj, me shtetasin italian Giorgio Angelo De Serio, i cili humbi jetën në aksident bashkë me mikun e tij italian Giovani Sanguedolche.