Aktuale

Aktakuzë për falsifikim të certifikatës së veteranit të luftës

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën kundër S.H., për veprat penale “Falsifikim i dokumentit” nga neni 398 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri S.H., më 15 mars 2018 në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht në Departamentin për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile zyra në Pejë, fillimisht falsifikon dhe pastaj me dije përdor dokumentin e falsifikuar dhe atë certifikatën e veteranit dhe vërtetimin e Komisionit Qeveritar, ku me këtë vë në lajthim organin e lartcekur të cilët duke menduar se këto janë të vërteta e vendosin në skemën pensionale dhe veteranëve të luftës.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprave të përshkruara sikur më lart.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpall fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barë./Lajmi.net/