Rajon & Botë

Alaska shënon rekord të temperaturës për dhjetor

Një valë e ngrohtë e pazakontë në Alaska të Shteteve të Bashkuara ka sjellë temperatura më të larta se 15 gradë dhe reshje shiu në një periudhë të vitit që zakonisht shoqërohet me borë e të ftohtë.

Në Kodiak, temperatura e ajrit të dielën shkoi në 19.4 gradë, që është rekord për muajin dhjetor në Alaskë, tha shkencëtari Rick Thoman nga Qendra e Alaskës për Vlerësime e Politika Klimatike. Ai tha se kjo është absurde.

Rekordi i ri erdhi pas një vargu temperaturash të larta që u regjistruan në pjesë të ndryshme të Alaskës, përfshirë temperaturën 18.3 gradë në aeroportin e Kodiakut dhe rekordin prej 16.6 gradësh në Cold Bay, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.

Moti i ngrohtë e me lagështi është bërë më i shpeshtë në Alaska në dy dekadat e fundit, që është shenjë e ndryshimeve klimatike, tha Thoman. “Kjo është saktësisht ajo që e presim në një botë që po ngrohet”, shtoi ai.

Sipas një studimi të publikuar muajin e kaluar në “Nature Communications”, parashikohet që klima arktike do të ketë më shumë shi se borë duke filluar nga viti 2060 ose 2070.