Aktuale

Amerika, ultimatum për Demarkacionin

Mbledhja e planifikuar e Qeverisë ku pritej që të procedohet Demarkacioni në Kuvend ka dështuar. Shefi i ekzekutivit, Isa Mustafa, bashkë me partnerin e madh të koalicionit Kadri Veselin ishin në takim me ambasadorin amerikan Greg Delawie. Ambasada e Amerikës i ka dhënë ultimatum Qeverisë dhe Kuvendit që ta votojnë pa asnjë vonesë Demarkacionin, përderisa opozita është e bindur se nesër do të bjerë Qeveria, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Qeveria e Kosovës ka dështuar dje ta mbajë mbledhjen e paralajmëruar në të cilën pritej që Demarkacioni të procedohej në Kuvend. Në mbledhjen e ekzekutivit nuk ka marrë pjesë kryeministri Isa Mustafa e as vartësit e tij nga radhët e PDK-së.

Shefi i Qeverisë bashkë me kreun e partisë më të madhe në vend (PDK), Kadri Veseli, ishin në takim me ambasadorin amerikan Greg Delawie, shkruan tutje “Zëri”.

Me këtë rast përfaqësues të Qeverisë kanë bërë të ditur se shkuarja e Demarkacionit në Qeveri dhe në Kuvend është shtyrë deri pas seancës së mërkurës (nesër), kur pritet të votohet mocioni i votëbesimit.

Kjo shtyrje ka bërë që përsëri të reagojë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, e cila i ka dhënë ultimatum Qeverisë, Kuvendit dhe deputetëve të Kosovës që pa asnjë vonesë ta procedojnë dhe ta votojnë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Në reagimin e Ambasadës Amerikane ndër të tjera potencohet se pas shqyrtimit të konsiderueshëm nga ekspertët e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vija e kufirit e caktuar me marrëveshje është e shënuar në mënyrë korrekte.

Kurse politologët kosovarë kanë vlerësuar se po shihet qartë se partnerët e koalicionit kanë mospajtime porse, sipas tyre, do ta gjejnë një formë të përbashkët për t’i dhënë fund koalicionit qeverisës.

the authorE B