Ekonomi

Anadolli: Sektori i bujqësisë në Kosovë mbetet ende i pazhvilluar

Korporata Financiare Ndërkombëtare anëtare e Grupit të Bankës Botërore dhe Agjencisë për Financim në Kosovë(AFK) organizuan hapjen e ceremonisë “Avancimi i kreditimit të bujqësisë në Kosovë me praktikat më të mira globale Partneriteti AFK dhe IFC”.

Drejtori ekzekutiv i AFK, Vahdet Anadolli, me këtë rast tha se Kosova mbetet importuesi më i madh i ushqimit për kokë banori në Evropë.

Bujqësia megjithatë, sipas tij, perceptohet si një faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në zvogëlimin e papunësisë.

Kjo sipas Anadollit mund të arrihet me investime, në modernizim, inovacion, dituri, si dhe strategji të mirëfillta për depërtimin e eksporteve të produkte në tregjet ndërkombëtare.

Drejtuesi i AFK tha se niveli i kredive jo performuese në sektorin e bujqësisë në Kosovë është në nivelin më të ulët në regjion. Për këtë AFK sipas Anadollit ka tashmë një eksperiencë 16 vjeçare në kreditimin e fermerëve të vegjël dhe rreth 40 përqind e portofolios të saj aktiv i është dedikuar bujqësisë.

AFK ai tha se  do të kontribuojë në zhvillimin afat gjatë e të qëndrueshëm të financimit të sektorit të bujqësisë në Kosovë.

 

“Bujqësia në Kosovë karakterizohet fermat e vogla me prodhimtari të ulët dhe mungesë kronike të investimeve. Sektori i bujqësisë në Kosovë mbetet ende i pa zhvilluar megjithëse Qeveria i ka dhënë përkrahje dhe prioritet të vazhdueshme në vitet e fundit… Statistikat tregojnë se mbi 60 përqind e popullsisë në Kosovë jetojnë në zonat rurale dhe 53 përqind e sipërfaqes është tokë bujqësore. Megjithatë kontributi i bujqësisë në Bruto Produktin Vendor  është vetëm 14 përqind, ndërsa prodhimet e bujqësisë përbëjnë rreth 16 përqind të eksporteve të përgjithshme”, tha Anadolli.

Drejtori i Departamentit për Analiza Ekonomike në Ministri të Bujqësisë, Ekrem Gjokaj, tha se sektori i bujqësisë është një prej sektorëve më të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.   Ai ngriti çështjen e qasjes së fermerëve në kreditim, ku sipas tij, kjo Ministri po vazhdon të krijoj lehtësira në financa me që normat e kredisë vazhdojnë të jenë më të larta prej të gjithë sektorëve të tjera.  Sipas tij, normat e kredisë për bujqësi ende vazhdojnë të jenë të larta prej 16 deri 24 përqind.

 

“Ne si ministri e Bujqësisë jemi të fokusuar dhe të orientuar në lehtësimin e qasjeve në kredi, sidomos për kredi bujqësore dhe paraprakisht përveç mbështetjes teknike të cilën jemi duke ofruar për fermerët… jemi duke ofruar edhe mbështetje financiare dhe kemi një gamë të gjerë të programeve i cili mbështet mori sektorësh kryesor që kanë për qëllim në rritjen e produktivitetit dhe prodhimtarisë primare”, theksoi  Gjokaj.

Ndërsa, Shkëndije Himaj nga Banka Qendrore e Kosovës, tha se BQK mirëpret iniciativat për kreditimin e sektorit të bujqësisë. Sipas saj me krijimin e kushteve për qasje në financa, fermerët bujqësorë zgjerojnë gamën e produkteve në bujqësi.

 

“Në fakt Banka Qendrore gjithmonë e i mirëpret iniciativat zhvillimore dhe shumë shpesh mundohet edhe të jetë promotori kryesor i këtyre iniciativave dhe në veçanti kur kemi të bëjmë zhvillimin e sektorit financiar dhe mundësitë që ky sektor të ofrojë lehtësira për qasje në financa me kosto të volitshme, por  edhe me një efektshme… Mendoj  se iniciativa e stome paralelisht do i mundësojë sektorit të bujqësisë që të ketë një produkt shumë inovativ dhe kreativ”, tha Himaj.

Kurse, Leah Soroka, menaxhere regjionale e programit, projekti për financimin e bujqësisë për Evropë dhe Azi Qendrore nga Banka Botërore, tha se dje e kanë mbajtur një trajnim rreth rrjedhjes së parave lidhur me modelin e vlerës së rrezikut në bujqësi, ku kanë punuar me AFK-në për ti hulumtuar 19 kultura të ndryshme  dhe sesi mundemi në mënyrë efektive të llogaritet në kërkesën e rrjedhës së parasë për të përcaktuar nevojat e kreditit.

 

“Qasja ne financa mund të transformojë produktivitetin, mundësinë për të shfrytëzuar teknologjinë e BE-së për vlera më fitimprurëse. Dhe kjo është tejet e rëndësishme. Duke i parë të dyja anët e fotografisë, ne do të ndihmojmë në arritjen e një suksesi më të madh në bujqësi. Kështu që ne jemi shumë të lumtur të punojmë me AFK-në . Ata kanë një kontakt shumë të mirë me regjionet e jashtme dhe punojnë me njerëz nëpër komunitete, 40% e tyre në bujqësi”, theksoi Soroka.

Ajo shpreson se do mund të përdoren këto mjete për të rritur ekonominë dhe për të ulur shpenzimet e fermerëve.

Sipas të dhënave të BQK, vetëm 4 përqind e kreditimit është në bujqësi. Kjo sipas zyrtarëve të AFK është për shkak të hendeqeve të mëdha në këtë sektor.

Ndryshe, IFC do ta këshilloj AFK-në, pasi që kjo qendër zhvillon strategjitë dhe mjetet e financimit që do ta mundësojnë që ajo të shtrijë financimin për më shumë firma bujqësore./KP