Aktuale

Apostolova: Më duhet të flas me Kadri Veselin

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se Kosova duhet të punojë sa më shumë në përmbushjen e kritereve të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), për t’iu afruar edhe më tepër Bashkimit Evropian, shkruan sot, gazeta Zeri.

“MSA-ja është vegël që ka ndikim të mirëfilltë politik. Sa më shumë të plotësohen kriteret, aq më shumë Kosova do të jetë afër BE-së. Me nënshkrimin e MSA-së Kosova është zotuar për liberalizimin e tregut. Autoritetet janë pajtuar të rreshtohen për trupin ligjor dhe për standardet e BE-së”, ka thënë Apostolova.

Këto komente Apostolova i ka bërë në një panel të organizuar nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, në të cilin është diskutuar rreth zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe ndikimit të saj në Kosovë, ku kanë marrë pjesë edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, dhe zëvendësambasadori holandez në Kosovë, Peter Verheyen.

Më tutje shefja e BE-së është shprehur e zhgënjyer me mosmbajtjen e asnjë seance plenare të Kuvendit të Kosovës që nga konstituimi i tij.

Apostolova ka thënë se këtë zhgënjim të saj do t’ia shprehë edhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit. “Shpreh shqetësimin tim që Kuvendi nuk është takuar as edhe një herë në një mbledhje formale. Kosova nuk ka kohë të humbë”, ka thënë Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së deklaroi se arsyetimi i Kuvendit të Kosovës që grupet parlamentare ende nuk i kanë propozuar deputetët anëtarë të komisioneve, kryetarët dhe zëvendëskryetarët nuk e ka bindur shumë. Sipas saj, deri më tani grupet parlamentare është dashur që ta mbyllin këtë çështje dhe Kuvendi të fillojë punën, shkruan Zeri.

Në anën tjetër ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se nevojitet një dinamikë e re në zbatimin e MSA-së. Sipas Hoxhës, zbatimi i MSA-së kërkon përafrim të legjislacionit me atë të BE-së, porse kërkohet edhe vullnet politik për ta bërë këtë gjë.

Ajo ka shtuar po ashtu se do të ketë dinamikë të re në këtë drejtim dhe se ajo publikisht do të bëjë të ditura ministritë, të cilat nuk i përmbushin me kohë kriteret dhe kanë ngecje por edhe ato të cilat arrijnë të kenë sukses në këtë fushë. Sipas ministres së Integrimeve, prioritet mbetet fusha e sundimit të ligjit dhe reformat në përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

Ndërsa zëvendësambasadori holandez në Kosovë, Peter Verheyen, ka thënë se Holanda do të vazhdojë të mbështesë Kosovën, porse duhet që institucionet e vendit të përkushtohen më shumë për reformat.

“Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të demonstrojnë përkushtimin të qëndrojnë në ballë të reformave. Ju jeni ata që duhet të ndërtoni shtëpinë e demokracisë. Kosovës i duhet e ardhme më e mirë. Holanda është një prej themeluesve dhe do ta mbështesim Kosovën në procesin e përafrimit me BE-në”, ka thënë ai.

the authorE B