Aktuale

Apostolova i del në krah Vjosa Osmanit: E papranueshme tentimi për dhunë ndaj një gruaje

Shefja e Zyrës së BE- së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka reaguar pas përplasjes së mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës me kryetares Vjosa Osmani dhe deputetit, Xhavit Ukaj.

Apostolova ka thënë se të gjithë duhet të përmbahen nga dhuna në Kuvend e sidomos ndaj një gruaje që është kryetare e Kuvendit.

“Kuvendit të Kosovës i duhet një punë konstruktive për t’u ballafaquar me sfidat serioze që e presin përpara. Të gjithë duhet të angazhohen për një konsensus politik dhe të përmbahen nga dhuna e cila nuk ka vend në shoqëritë demokratike, e lëre më në Shtëpinë e Popullit, veçanërisht ndaj një gruaje-kryetare e Kuvendit”, ka shkruar ajo në Twitter.

Vjosa Osmani është përplasur me fjalë mbrëmë me deputetin e LDK- së, Xhavit Ukaj, i cili shkoi te foltorja e Kryeparlamentares pasi kjo e fundit e kërcënoi se me forcën e sigurimit fizik do ta largonte nga seanca pasi i njëjti protestoi kundër mënyrës se si ish-Nënkryetarja e LDK- së po i favorizonte deputetët e Albin Kurtit.