Aktuale

Apostolova: Marrëveshja për Demarkacionin duhet të ratifikohet

Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, u takua sot me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian Nataliya Apostolova.

Me këtë rast   Ahmetaj shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të zhvilluar bashkëpunimin me zyrën e BE-së rreth avancimit të agjendës evropiane për Kosovën.

Ministrja Ahmetaj ka njoftuar Apostolovën për vizionin e saj për të udhëhequr me procesin e integrimit Evropian, respektivisht procesin e zbatimit të MSA-së rezultatet të së cilës vetëm se kanë filluar të formësohen. Dhe meqë kjo është agjendë e reformave, në vijim pritet që ky proces të dinamizohet tutje. në mënyrë që të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e Kosovës dhe më shumë informacion për njerëzit rreth zbatimit të MSA-së.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, ministrja Ahmetaj potencoi domosdoshmërinë dhe nevojën e madhe për qytetarët e Kosovës që ky proces sa më parë të përmbyllet.

Në anën tjetër lidhur me këtë çështje, Apostolova potencoi se marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi duhet të ratifikohet si dhe të vazhdoj lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo shprehu se BE-ja vazhdon të jetë e gatshme ta ndihmoj Kosovën në këtë proces.

Po ashtu, bashkëbiseduesit diskutuan për programet e BE- së si një nga instrumentet kyçe për të përafruar Kosovën me bashkimin Evropian dhe për të bërë ndërlidhje më të fuqishme ndërmjet qytearëve, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit./KosovaPress/

 

the authorSamir Dalipi