Rajon & Botë

Aprovohet kandidatura e Tillerson për sekretar shteti

Komiteti i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë ka aprovuar me një rezultat të ngushtë kandidaturën e Rex Tillerson si sekretar amerikan të shtetit, pavarësisht shqetësimeve për lidhjet e biznesit të tij me Rusinë.

Votimi u nda sipas linjës partiake, ku 11 republikanë  sa ishin gjithsej votuan pro, derisa 10 demokratë votuan kundër. Tillerson pritet që do të konfirmohet në përbërjen e plotë të Senatit, ku republikanët e kanë shumicën prej 52 anëtarëve.

Votimi ka ardhur në një ditë shumë të ngarkuar për administratën e re të Donald Trump, shkruajnë mediat amerikane.

Ajo që bëri bujë ishte tërheqja amerikane nga Partneriteti Trans-Paqësor, duke përmbushur një premtim të fushatës.

Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për t’u tërhequr nga marrëveshja e tregtisë së lirë me 12 vende, marrëveshje kjo e arritur nga ish presidenti Barack Obama, transmeton KosovaPress.