Aktuale

Arrestime për drogë, në mesin e tyre edhe një polic

Policia e Kosoëvs ka arrestuar sot tre të dyshuar për transportim të substancave narkotike.

Sipas një komunikate të Policisë operacioni është zhvilluar në fshatin Shakovicë të Podujevës, ndërsa njëri nga të arrestuarit është pjesëtar i Policisë së Kosovës

“ Operacioni policor është zhvilluar në fshatin Shakovicë të Podujevës, me ç’rast janë ndaluar 3 persona të dyshuar, kurse një tjetër është në arrati.  Njëri nga tre personat e dyshuar, tani më i arrestuar nga Policia është pjesëtar i Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në këtë operacion të arrestuar janë personat me iniciale si në vijim: G. D.(1974), Sh. H.(1968) dhe  A. H.(1970).

Sipas Policisë me  urdhër të Gjykatës Themelore është bërë kontrollimi në pesë lokacione të ndara, dy në Prishtinë dhe tri në  Pejë, ku gjatë këtij operacioni si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar:

dy automjete, 5200 gramë marihuanë, dhjetë telefona celularë, dy revole, 38 predha dhe 2500 euro.

“Në asistencë ishin edhe njësitë e DTK-së (Drejtoria e Teknikës Kriminalistike), K9 (Njësiti me qen) si dhe hetues të Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotik-Pejë”.

Ndaj të dyshuarve me vendim të prokurorit është caktuar ndalimi prej 48 orëve, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore./KosovaPress/