Aktuale

Arrestime për vjedhje, prostitucion dhe martesë të detyruar

Policia e Kosovës nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme të mbajtur sot njoftoi për disa operacione në lokacione të ndryshme gjatë të cilave janë arrestuar tetë persona.

Të arrestuarit në rastin e parë kanë të bëjë me dyshimin për vjedhje, ndërsa dy rastet e tjera njëri në rajonin e Gjakovës dhe tjetri në rajonin e Mitrovicës kanë të bëjnë e trafikimin e qenieve njerëzore, prostitucion dhe martesë të detyruar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani këto tri raste i ka vlerësuar të suksesshme.

 

“Tri raste të suksesshme të Policisë së Kosovës. Rasti i parë dhe më i rëndësishëm në këtë rast i cili ka të bëjë me arrestimin e tre personave të dyshuar për vjedhje-grabitje, vjedhje të automjeteve dhe dy raste të tjera të cilat kanë të bëjnë një në rajonin  e Gjakovës dhe një rajonin e Mitrovicës e që kanë të bëjnë me trafikimin e qenieve njerëzore, prostitucion dhe martesë të detyruar e që në total mund të themi se në këto  tri raste janë arrestuar tetë persona të dyshuar”, tha Kelani.

Për rastin e parë ka folur shefi i njësisë së autokrimeve, Vesel Mustafa, sipas të cilit janë kontrolluar gjashtë lokacione, ku janë gjetur edhe gjësende të cilat rrjedhin nga veprat penale.

Ai ka treguar se plani operativ i realizuar në paraditen e sotme ka qenë vazhdimësi e një operacioni për shkatërrimin e një grupi kriminal, nga i cili grup në muajin korrik ishin arrestuar tre persona tjerë.

 

“Gjatë kontrollit janë gjetur edhe gjësendet të cilat rrjedhin nga veprat penale. Ky grup kriminal ka vepruar në kontunitet, të cilin ne jemi duke e hetuar qe një periudhë mbi gjashtë mujore, për të cilin grup kemi pas edhe një plan operativ i cili me datën 22 korrik në flagrancë janë arrestuar tre persona gjegjësisht kanë qenë në kryerje të veprës penale për të cilën janë arrestuar dhe me urdhër të Prokurorit janë ndaluar në procedurë. Dhe si vazhdimësi i këtij rasti si një grup kriminal i organizuar mirë sot kemi në këtë operacion kemi arrestuar tre persona, ndërsa dy për të cilët kemi pasur lokacionin nuk kemi arritur që të arrestojmë se ata nuk kanë qenë në ato lokacione”, ka treguar Mustafa.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale, që sipas Mustafës dëshmojnë se të dyshuarit veçse kanë kryer vepra penale, vjedhje të rënda, thyerje të shtëpive gjatë kryerjes së veprave ata kanë arritur që nga pronarët të marrin edhe çelësat e veturave me të cilat kanë transportuar gjësendet e vjedhura.

Ndërsa, me dy rastet tjera, asaj në rajonin Gjakovës dhe Mitrovicës, Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona nën dyshimin për trafikim, prostitucion dhe martesë të hershme.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka treguar se katër nga të arrestuarit në rajonin e Gjakovës për trafikim, prostitucion janë dërguar në mbajtje.

 

“Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në dy raste të ndara ka arrestuar pesë persona të dyshuar. Rasti i parë i cili është realizuar sot në rajonin e Gjakovës ka të bëjë me arrestimin e katër personave të dyshuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale mundësim detyrim në prostitucion, shantazh dhe marrje me prostitucion. Nga këta katër persona të dyshuar vlen të potencohet se i dyshuari me inicialet L.P me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa rasti i dytë është realizuar në rajonin e Mitrovicës por  që është realizuar me datë 13 tetor si vazhdimësi e hetimeve që janë realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe këtu është arritur që të arrestohet një person i dyshuar i nacionaliteti rom me dyshimin e kryerjes së veprës penale, martesë të detyruar”, ka treguar Kelani.

Kelani ka potencuar se në rastin e dytë është arritur të identifikohen tri  dhe po të njëjtat sipas procedurave janë dërguar në qendrën strehimore. /KP