Aktuale

Arrestimi i pesë serbëve, Haradinaj “përplaset” me kryeministren serbe në Londër

Për pesë serbët e arrestuar në Kosovë, Haradinaj diskutoi me kryeministren serbe në Londër
Samiti që po vazhdon në Londër, sot shërbeu për të diskutuar në lidhje me pesë serbët e arrestuar në Kosovë. Të njëjtit u liruan më vonë, por që dyshohet se kanë bërë presion te ushtarët serbë të largohen nga FSK-ja.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se për këtë temë ka shkëmbyer disa fjalë me kryeministrin e Kosovës.

“Unë i thashë se presionet ndaj serbëve po vazhdojnë. Nuk duhet të vazhdoni me praktikën duke arrestuar serbë. Ishte e shkurtër. Nuk kemi më asgjë për t’i thënë njëri-tjetrit”, tha Bërnabiq, transmeton lajmi.net.

Kryeministrja serbe tregoi edhe për përgjigjen që mori nga kryeministri i Kosovës.

“Haradinaj u përgjigj duke thënë se gjërat janë më të komplikuara. Më tha se Kosova nuk dëshiron raporte të tilla me serbët që jetojnë atje”, deklaroi tutje kryeministrja e Serbisë.

Siç pretendon Bërnabiq, arrestimi i pesë serbëve është bërë temë edhe në Londër gjatë ditës së sotme.

Ajo e cilësoi arrestimin e pesë serbëve si shfaqje të papërgjegjshme.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me zyrën për informim të qeverisë, për ta konfirmuar ose jo këtë diskutim të Haradinajt me Bërnabiq, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Pesë serbët u arrestuan herët në Gjilan, pasi dyshohen për “rrezikim të sigurisë në Kosovë”. /Lajmi.net/