Aktuale

Arsyeja pse Pacolli u nda me LDK’në, sipas Ramush Tahirit

Aleanca Kosova e Re ka ndërprerë bashkëpunimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe me Alternativën.

Vetë kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, pas një takimi me Isa Mustafën, sot në prononcim për media tha se kanë shkëputur marrëdhëniet dhe se tani do të provojë të formojë një grup unik parlamentar.

Kjo ndarje, sipas analistit politik Ramush Tahiri, ishte “ndarje e paralajmëruar”.

Tahiri beson se ndarja erdhi pasi nuk u plotësuan kërkesat e Pacollit.

“Pacolli kishte kërkuar nga Albin Kurti dhe Isa Mustafa t’i kapërcejnë dallimet dhe të bëjnë marrëveshje për të qeverisur vendi”, deklaroi ai në një prononcim për Klan Kosovën.

Tahiri thotë se dakordimi për shkëputje raportesh “duket se dje është arritur, ndërsa sot vetëm është zyrtarizuar”.

Pacolli nuk është shprehur se menjëherë pas ndarjes me LDK-në do t’i bashkohet koalicionit PAN, porse ka lënë të kuptohet se diçka e tillë mund të ndodhë.

Këtë rrjedhë gjërash e parashikon edhe analisti Tahiri.

“AKR ka shprehur interes t’i bashkëngjitet PAN duke u bërë pjese e qeverisjes dhe duke ia mundësuar koalicionit fitues të kërkojë thirrjen e vazhdimit të mbledhjes së Kuvendit, e më vonë zgjedhjen e Qeverisë”.

Por, sipas tij, as votat e AKR-së nuk garantojnë shumicë të thjeshtë për PAN-in.

“Mbetet të shihet a do të jenë të mjaftueshme votat e AKR për zhbllokim apo vendi prapëseprapë do të shkojë në zgjedhje”, tha Tahiri.