Opinione

Askush nuk po e mbytë veten

Lulzim Tafa

Sot është 21 marsi, dita e pranverës. Ditë kjo që, dikur si fëmijë, e prisnim me padurim. Nuk është dita ndërkombëtare e pranverës sepse ditë ndërkombëtare të pranverës nuk ka, por kjo ditë ka rastisur me një ditë tjetër të veçantë, e që është ndërkombëtare, pra kjo ditë ka rastisur me ditën ndërkombëtare të  poezisë, që është po aq e bukur sa pranvera.

Data e njëjtë e ditës së poezisë dhe ditës së  pranverës mund të jenë rastësi, por çuditërisht  kjo ditë është vetëm një ditë pas ditës ndërkombëtare të lumturisë që ishte me 20 mars. Nëse edhe kjo do të ishte rastësi, vërtet do të ishte interesante. Unë për veti nuk e di arsyen. Kuptohet, i kam dyshimet e mija.

Ditën e poezisë nuk u kujtua ta shënoj askush, madje as shoqatat e asociacionet  tona të shkrimtarëve. T’ju  them të drejtën, u mërzita pak. Kanë vdekur shumë poetë kohët e fundit, madje kanë vdekur poetët kryesor të poezisë shqipe të Kosovës; Ali Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Mirko Gashi, Beqir Musliu, Abdulla Konushevci  e disa poetë të tjerë, kuptohet po flas për poetët që unë i kam njohur dhe i kam pasur miq, dhe që natyrshëm i kujtoj në një ditë si kjo.

Për një çast thash, më mirë të them e pyeta veten, a thua vdiq poezia?

Unë them Jo, nuk ka vdekur.  Ndoshta më parë do të vdesin ata që nuk jetojnë me të. Poezia shkruhet pak këto kohë, e më pak lexohet. Ne kemi dëshirë të themi se poezia është art aristokrat, dhe për këtë shkak lexohet e shkruhet pak, prandaj ata që lexojnë poezi janë aristokrat, e më aristokrat ata që shkruajnë. Normalisht, si poet që jam qesha pak vetëmevete, pastaj e kujtova poetin tim të zemrës Migjenin, i pështjella në kokë pak vargje të tij, kuptohet nuk qesha as vetëmevete, si te rasti i  parë, pastaj kujtova vargjet e Sergej Jeseninit, sidomos “Do svidanjen”, që në atë vakt e lexoja në origjinal, kësaj radhe nuk i aprovova shumë, pastaj të Bukovskit etj., dhe vetëm kur e pashë  se po ja prishi  vetit festën. Mendova e thash vetë me veti, hiqu tyre dhe fillova me Lorken, uh çfarë poezie, vazhdova  me Zhak Preverin, thash po e qeras pak vetën, pastaj mu sollën në kokë poetë e poetë, poezi e poezi, deri sa u kënaqa e derisa  në fund kënaqësia mu bë mërzi. Ashtu i mërzitur e shkrova një poezi, ndoshta sa për ta shënuar edhe zyrtarisht këtë ditë.

Po çka është poezia? A ka kush që e përkufizon atë? Deri sa poetët e quajnë  atë përnjëherë edhe prostitutë edhe shenjtëreshë ec  e bjeri në fije, punë poeti, apo punë djalli. Besoj se ja bëra mirë kur librin tim në gjuhën boshnjake e pata titulluar Punë Djalli.

Mendova sa e rëndësishme është poezia. Mu  kujtua edhe një batutë, se ne poetët edhe batuta dimë  të  bëjmë nganjëherë. Kur një poetë i një zone urbane, madje nga një vend që as lum nuk ka, i thotë një poeti tjetër që vjen nga zona e bregdetit, nuk  ju kuptoj juve poetët që vini nga zonat e bregdetit, pse ju shkruani poezi, ju keni det dhe atje mund ta mbysni veten. Ne që nuk kemi det këtu, prandaj në pamundësi që ta mbysim vetën në ujë, shkruajmë poezi. E  këtu qesha edhe pak, thash kjo është arsye ndoshta që poezia erdhi në këtë ditë. Pra tash e kam të qartë se pse po e injorojmë kaq shumë poezinë, sepse  askush nuk dëshiron ta mbys vetën më.

Normalisht se nuk po flas për vete, sepse unë do t’i mbetëm besnik gjithmonë poezisë, edhe pse nuk është e lehtë, ndoshta si ato vargjet, puthja jote është e vështirë, por unë do të të puth përsëri.

(Autori është poet)

the authorSamir Dalipi