Aktuale

Asnjë rast i ri me koronavirus në Malishevë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se janë regjistruar edhe 119 raste të reja me koronavirus në vend.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se nga 420 mostra të marra, 119 persona kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në 24 orët e fundit, kështu duke e çuar në 5 mijë e 237 numrin e përgjithshëm të të infektuarve, shkruan lajmi.net.

Nga Komuna e Malishevës kanë bërë të ditur se sot nuk është regjistruar asnjë rast i ri me koronavirus, përderisa në këtë komunë janë 13 raste aktive.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Sot asnjë rast i ri me COVID-19 në Malishevë

Malishevë, 15 korrik

Sot nuk është regjistruar asnjë rast i ri i prekur me COVID-19 në Komunën e Malishevës, ndërsa testet e sotme, kanë rezultuar negative. Kjo është konfirmuar në komunikimin zyrtar në mes të Komunës së Malishevës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Gjendja aktuale me COVID-19, në Komunën e Malishevës, është kjo: 94 të prekur me COVID-19, prej tyre 77 janë shëruar, 13 raste janë aktive, ndërsa 4 raste kanë përfunduar me vdekje.

Shtabi komunal për menaxhimin e situatës me COVID-19 në Malishevë, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, në vazhdimësi është duke e monitoruar situatën në Komunën e Malishevës. Edhe inspektorati komunal, së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke e mbikëqyrur zbatimin e masave nga ana e institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve, e po ashtu edhe komuna dhe sektori i shëndetësisë, janë duke ju ofruar mbështetje dhe shërbim të plotë rasteve të prekura, duke ju ofruar shërbimin e nevojshëm shëndetësorë, e po ashtu edhe duke ju ofruar mbështetje për të gjitha nevojat që kanë.

Shtabi Komunal për Menaxhimin e Situatës me COVID-19 në Malishevë, edhe njëherë ju bën thirrje të gjithëve pa dallim, që të vazhdojnë ti zbatojnë vendimet, masat dhe udhëzimet e institucioneve përgjegjëse, pasi kjo është mënyra e vetme e luftimit të këtij virusi.

the authorGazetaKNN