Aktuale

“Astrit Dehari është vrarë, drejtësia të mos ndikohet politikisht”

Avokati i familjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari, Tomë Gashi insiston se i ndjeri Dehari nuk është vetëvrarë në burgun e Prizrenit.

Për këtë Gashi thotë se ka treguar raporti i ekspertizës nga ekspertët e pavarur.

Ai tha se në videoincizimet e publikuara të burgut të Prizrenit është bërë prerja e shiritit të kamerave të burgut. Kjo  sipas tij vërteton se  qelia ose dhoma ku ka qëndruar Astrit Dehari nuk është mbyllë hermetikisht deri në orën 16:51, ndërsa për vdekjen e Astrit Deharit është raportuar rreth orës 15:00.

“Është gjet gjak në trenerkat e poshtme, është gjet gjak në këmishë dhe brekë, por jo në xhamperin e tij. Sa i përket ekspertizës së fundit nga prokuroria themelore në Prizren thuhet qartë se nuk kanë gjendur gjendje emocionale të çrregulluar”, tha Gashi.

Avokati Gashi ka kërkuar nga ministrja e Drejtësisë  Dhurata Hoxha që të mos ndërhyjë në sistemin e drejtësisë, pasi sipas tij ajo është motivuar politikisht në lidhje me deklaratat për vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit.

Ai tha se ministrja deklaron se në rastin kanë marrë pjesë tre përfaqësues të EULEX-it,  gjë që sipas tij nuk është e vërtetë. por aty ka qenë vetëm një përfaqësuese.

Ai ka demantuar ministren Hoxha e cila ka deklaruar se të gjitha provat kanë qenë të mbyllura hermetikisht dhe janë dërguar për analiza hetimore.

“Ky dokument është i policisë, ndërsa ministrja e Drejtësisë thotë se gjithçka ka qenë e mbyllur hermetikisht dhe janë marrë për analiza”, tha Gashi.

Sipas tij, ministrja Hoxha në njërën anë ka kërkuar nga  prokuroria të hetojë pistën  e vdekjes së  Astrit Deharit, ndërsa në të njëjtën kohë ajo kërkon hetimin për ekspertët të  cilët sipas tij me ekspertizë e vërtetojnë  se Dehari është vrarë.

Gashi ka thënë se edhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha,  e ka  mbyllur rastin duke u thirrur në raportin e Mjekësisë Ligjore, dhe kjo sipas tij është keqpërdorim.

Avokati Gashi  tha se raportin përfundimtar për vdekjen e Astrit Deharit  ende nuk e kemi.

Konferenca është mbajtur në dy mujorin e vdekjes së Deharit. /KosovaPress.