Tech

Audi sjell A8-shen e blinduar me motor të S8-shit dhe me çmim marramendës

Nëse nuk do t’i kishte dritat e kaltra, do të dukej saktësisht si një A8-she e zakonshme. Megjithatë kjo që po e shihni është vetura e veçantë – Audi A8 L antiplumb.

Ky model peshon 3,875 kilogramë, jo vetëm për shkak të shtresës antiplumb, por edhe për shkak të harduerit të veçantë që e ka të instaluar. Një shembull i rëndësishëm është sistemi për shuarjen e zjarrit.

Shndërrimi i një A8-sheje të zakonshme në model “A8 Security” merr 400 orë pune shtesë dhe gjithçka kryhet në një fabrikë të veçantë. Të gjitha veturat e blindura të këtij prodhuesi testohen nga autoritetet e sigurisë për ta vlerësuar rezistencën ndaj snajperëve dhe granatave të dorës.

Në një skenë nga jeta e përditshme, kjo veturë do të mund t’i shmangej rrezikut edhe me goma të shfryra me shpejtësi deri në 80 kilometra në orë dhe në largësi deri në 80 kilometra, shkruan “Motor1”, transmeton Gazeta Express.

Vetura është e pajisur edhe me sistemin e ajrit të freskët, të cilin pasagjerët mund ta shfrytëzojnë nëse ajri jashtë veturës është i helmuar.

Ndonëse nga jashtë, A8 Security duket si një A8-she e zakonshme, ajo motorin e ka të modelit S8 me 563 kuaj fuqi. Shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për vetëm 6.3 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale është e kufizuar në mënyrë elektronike në 210 kilometra në orë.

Çmimi i kësaj veture do të jetë rreth 750 mijë dollarë, ndërsa duhet të porositet 3 deri në 6 muaj para se të jetë e gatshme për t’u dorëzuar te pronari.

the authorGazetaKNN