Aktuale

Austria mbështet fuqishëm agjendën integruese të Kosovës

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, në vazhdën e aktiviteteve për të fuqizuar përkrahjen e procesit integrues të Kosovës, ka zhvilluar sot takim me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

Hoxha me ambasadorin austriak ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë, zhvillimet rreth agjendës evropiane, avancimi dhe zbatimi i marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Agjendën Evropiane të Reformave, procesin e Liberalizimit të Vizave dhe programet e BE-së.

Ministrja Hoxha falënderoi ambasadorin Pfandler për kontributin e Austrisë gjatë shtetndërtimit.

Austria, sipas ministres Hoxha është ndër njohëset e para të pavarësisë së Kosovës dhe, përkrahëse e vazhdueshme e proceseve integruese për Kosovën.

Ajo theksoi vullnetin për të zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve me interes të përbashkët.

Ambasadori Pfandler e rikonfirmoi përkrahjen e Austrisë për perspektivën evropiane të Kosovës dhe proceset nëpër të cilat po kalon ajo. Për këtë, Ambasadori potencoi se nëntë vite nga shpallja e pavarësisë së saj, në raport me rajonin, Kosova është në rrugë të mbarë të proceseve integruese.