Aktuale

Avokati i Popullit me Raportin për të drejtat e shëndetit seksual

Me synimin e rivendosjes së të drejtave të cenuara të individëve dhe me qëllim të vendosjes së standardeve të garantuara, si dhe promovimit të praktikave të mira, Avokati i Popullit sot ka prezantuat raportin me temë “Të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues në Kosovë, një realitet përtej ligjit?”.

“Të drejtat e shëndetit riprodhues dhe seksual (DSHRS) kanë një kornizë mbrojtëse me  Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që  përfshin jo vetëm të drejtat e njohura nga Kapitulli i Kushtetutës mbi të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e njohura nga traktatet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat Kushtetuta i njeh për aplikim të zbatueshëm drejtpërdrejtë dhe me prioritet në rast konflikti me legjislacionin vendor”, thuhet në këtë komunikatë.

Ky Raport, i pari i këtij lloji në Kosovë, ka për objektiv vlerësimin e të arriturave dhe barrierave politike, ekonomike, sociale dhe kulturore mbi shëndetin seksual dhe riprodhues në vend, përmes thjerrës së të drejtave të njeriut, të garantuara me Kushtetutë; mbajtjen e autoriteteve përkatëse përgjegjëse kundrejt obligimeve të tyre ligjore në raport me të DSHRS; dhënien e rekomandimeve për veprimet që hapin potencial për progres dhe mbështetje për realizmin e të DSHRS për popullatën e Kosovës.

“Vlerësimi është kryer nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), me udhëzimet teknike dhe mbështetje financiare nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), zyra nacionale në Kosovë dhe është bazuar në rishikimin e dokumenteve dhe publikimeve relevante, ashtu siç edhe në konsultimet me autoritetet publike, shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe profesionistët e fushës”, thuhet në komunikatë.

Vlerësimi është i fokusuar  brenda kornizës së shtatë çështjeve kyçe: Shërbimet dhe informatat mbi kontraceptivët; Abortin e sigurt; shëndetin e nënës; HIV/AIDS; Edukimi gjithëpërfshirës seksual; Dhuna kundër gruas; Kanceri dhe shëndeti riprodhues, duke pasur parasysh brenda fokusit të vlerësimit edhe Grupet vulnerabël; besueshmërinë dhe praninë e të dhënave; jo-diskriminimin, privatësinë përfshirë konfidencialitetin, pjesëmarrjen etj.

Tutje thuhet se sistemi i gjerë shëndetësor dhe konteksti socio-ekonomik, si dy çështje thelbësore për të kuptuar të DSHRS janë marrë parasysh gjatë hartimit të Raportit, i cili ka identifikuar po ashtu fushat e progresit dhe pengesat.

Analizimi i të dhënave është mbështetur në tre pyetje kyçe: Cila është gjendja e të DSHRS të popullatës së Kosovës, përfshirë grupet e margjinalizuara? Cilat ligje kyçe, politika dhe iniciativa janë miratuar nga Qeveria dhe cila është gjendja e implementimit të tyre?  dhe Cilat janë përputhjet dhe mospërputhjet mes mbrojtjes kushtetuese të DSHRS-së dhe realitetit?

Raporti konstaton se Kosova ka progres domethënës sa i përket kornizës kushtetuese për mbrojtjen e të DSHRS-ve; numër relevant ligjesh e politikash; progres në zhvillimin e një sistemi të ri shëndetësor me sistem të duhur referimi dhe veçanërisht në lidhje më çështjet e DSHRS-së: shkallë të ulët të vdekshmërisë dhe prevalencë të ulët të HIV/AIDS-it.

Raporti thekson se Kosova ka nevojë për: aktualizim, implementim dhe monitorim të implementimit të politikave;  të zhvilloj Sistemin e Informimit Shëndetësor, ashtu që të dhënat e duhura dhe disagreguara të grumbullohen në mënyrë rutinore; të zgjeroj ofrimin e edukimit gjithëpërfshirës të detyrueshëm seksual në të gjitha shkollat; të përmirësoj privatësinë dhe konfidencialitetin në institucionet shëndetësore; të përmirësojë njohuritë dhe qasjen në metodat e kontracepsionit modern; të mbështes implementimin e kornizave ligjore dhe politikave mbi dhunën ndaj gruas përmes ngritjes së vetëdijes rreth DSHRS-ve, në këtë kontekst mes popullatës, gjyqësorit dhe institucioneve kyçe; të adresojë shërbimet ilegale të abortit; si dhe të adresojë të drejtat e shëndetit riprodhues dhe seksual tek grupet e rrezikuara.

Raporti përcjell 62 rekomandime për autoritetet përgjegjëse, të shpërndara sipas çështjeve kyçe të trajtuara dhe duke pasur parasysh problemet e ndërlidhura, si dhe grupet e rrezikuara dhe të margjinalizuara. /KosovaPress/