Aktuale

Avokati i Popullit rekomandon që të hetohet vdekja e një gruaje në Gjinekologji

Avokati i Popullit ka rekomanduar Prokurorisë së Shtetit dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të fillojë hetime në lidhje me vdekjen e një gruaje në repartin e Gjinekologjisë janarin e vitit të kaluar. viti.

“Raporti me rekomandime nga Avokati i Popullit është iniciuar pas ankesës së pranuar kundër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në lidhje me pretendimet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, mos përcaktim të saktë të shkakut të vdekjes me autopsi mjeko ligjore, si dhe për hetime joefektive, lidhur me rastin e bashkëshortes së ankuesit, të cilës, gjatë trajtimit me transfuzion të gjakut i ishte komplikuar gjendja dhe me 24 janar 2016, kishte ndërruar jetë”, thuhet në një njoftim nga Zyra e Avokatit të Popullit.

Bazuar në analizën ligjore, në standardet e përcaktuara ndërkombëtare, në veçanti në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), Avokati i Popullit konstaton se legjislacioni vendor është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Megjithatë, gjendja faktike, përfshirë rastin në fjalë, tërheq vërejtjen mbi shkeljen e së drejtës në jetë, për shkak të veprimeve të stafit mjekësor që nënkupton përgjegjësi objektive apo subjektive, si dhe jo efikasitetit të hetimit, që udhëhiqet nga prokuroria, e që është kusht për zbatimin e plotë të mbrojtjes së të drejtës për jetë, në bazë të praktikës së GJEDNJ-së.”, thuhet në raprot.

Nëpërmjet këtij Raporti, Avokati i Popullit i rekomandon Prokurorisë Themelore në Prishtinë që në pajtim me kompetencat dhe autorizimet që burojnë nga ligji, si dhe në bashkëpunim me të gjitha agjencitë relevante, të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e hetimeve të shpejta dhe efektive në çështjen e ankuesit, duke i zbardhur të gjitha rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes së bashkëshortes së ankuesit. Për më tepër, të vlerësohet përgjegjësia, duke përfshirë përgjegjësinë objektive dhe subjektive, e që do të mund të lehtësonte çështjen e kompensimit për palën.

Ndërkaq, Ministrisë së Shëndetësisë, Avokati i Popullit i rekomandon që, në pajtim me kompetencat dhe autorizimet ligjore të themelojë komision të posaçëm për vlerësimin e gjendjes, i cili pas vlerësimit të situatës në terren do të hartonte protokol pune me rregulla strikte për rastet e dhënies së transfuzionit të gjakut./KosovaPress/