Aktuale

“Avullohet” malli kontrabandë n’prezencë të policisë! (Foto)

Edhe pas katër ditësh që një kamion përplotë me pije të kontrabanduara nga Serbia ishte lokalizuar nga policia në veri të Mitrovicës, nuk është arritur që ky mall të dërgohet në terminalin për zhdoganim, që ndodhet në jug të Mitrovicës.

Burime të KosovaPress-it, bëjnë të ditur se kamioni ka qenë i lokalizuar me shirit të policisë që katër ditë, ndërsa, policët e kanë vëzhguar mallin në kamion vazhdimisht, 24 orë në ditë.

“Dejan Mihajlloviq ka arritur ditë më parë që në prezencë të policisë ta dëmtojë sistemin e frenave në kamion, vetëm për të mos lejuar që kamioni të shkojë në terminal. Ai gjatë natës së mbrëmshme, ka arritur po ashtu ta largojë komplet mallin nga kamioni edhe pse ishte nën mbikëqyrjen e policisë vazhdimisht”, kanë thënë burimet.

Mësohet se gjatë kohës kur po raportojmë, Njësiti i Krimeve Ekonomike i stacionit në veri të Mitrovicës është duke marrë deklarata nga disa policë, të cilët dyshohet se kanë lejuar largimin e mallit nga kamioni gjatë natës së kaluar.

KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë me zëvendës drejtorin e policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, për të marrë një deklaratë rreth kësaj ngjarje, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Ndryshe, KosovaPress kishte raportuar para tre ditësh për lokalizimin e këtij kamioni me mall të kontrabanduar nga Serbia nga ana e policisë, si dhe mos arritjen e policisë për ta dërguar kamionin në terminalin doganor, për shkak të rezistencës së Dejan Mihajloviq, babai i të cilit, Zvezdan Mihajlloviq, mban një depo të pijeve në veri të Mitrovicës. /KosovaPress/