Aktuale

Bajrami i dorëzoi detyrën Bytyqit, pranon se cilësia në arsim është e ulët

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i ka dorëzuar detyrën ministrit të ri, Shyqeri Bytyqit.

Bajrami shpreson se Qeveria e re do të ketë në prioritet arsimin në Kosovë.

Ai tha se në këto tri vite ka pasur investime dhe të arritura të mëdha në fushën e arsimit, mirëpo pranoi se gjendja arsimit nuk është e kënaqshme.

Bajrami njoftoi pasardhësin e tij se ka krijuar partneritet me shumë universitete nga Amerika.

Ai porositi që të punohet shumë në cilësinë e arsimit, duke përmendur rezultatet e testit Pisa.

“Sot kur po e dorëzoi mandatin po e pranoj se cilësia e arsimit është e ulët, mirëpo ne për këto tri vite parandaluam rrënimin e arsimit”, tha Bajrami.

Ministri i ri Bytyqi tha se është një nder i jashtëzakonshëm të pranohet një detyrë kaq e rëndësishme.

“Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në arsim, mirëpo jam i vetëdijshëm se ka pasur rezultatet në mandatin tuaj por ka edhe një mal problemesh. Ne do të vazhdojmë të punojmë që arsimi ta merr një rrugë të mirë dhe të duhur”, tha ai.

Prioritet sipas tij do të jetë respektimi i legjislacionit në çdo nivel, si dhe të ngritët cilësia e arsimit. Ai tha se presin që të dalin në rangim më të mirë në Pisa.