Aktuale

Bajrami thotë se PDK-ja vazhdon të jetë partia më e besueshme

Në 17-vjetorin e themelimit të PDK-së, nënkryetari i kësaj partie, Arsim Bajrami, ka thënë se ky subjekt politik ende ka energji për fitore të reja.

Ai ka thënë se, përkundër tre mandateve të qeverisjes, PDK-ja vazhdon të jetë partia më e besueshme në vend.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bajrami ka vlerësuar se PDK-ja është e gatshme edhe për mandatin e katërt qeverisës.

“Përkundër tre mandateve të qeverisjes, PDK-ja vazhdon të jetë partia kryesore. Këtë e tregojnë edhe hulumtimet dhe sondazhet e ndryshme. Madje PDK-në si partinë kryesore në vend po e nxjerrin edhe sondazhet e rivalëve politikë. Ne jemi të gatshëm të garojmë vitin e ardhshëm në zgjedhjet lokale me ofertën tonë dhe, po ashtu, jemi të gatshëm të garojmë në vitin 2018 për zgjedhjet parlamentare, ku do të dalim me opsionin e fitores”, ka thënë ai.

Bajrami, i cili është një nga themeluesit e kësaj partie, ka treguar se në rrugëtimin e saj PDK-ja ka ndryshuar profilin e saj politik, por çdoherë ka qenë konstruktive karshi proceseve të shtetndërtimit dhe stabilitetit të vendit.

“Ajo që është tipike për PDK-në është përgjegjësia e saj ndaj shtetndërtimit dhe ndaj interesave shtetërore. Në këtë drejtim, PDK-ja është treguar një parti e përgjegjshme, duke bërë kompromiset e nevojshme në dobi të përfshirjes së të gjithë spektrit politik në proceset historike. Kështu që, PDK-ja në këtë drejtim ka qenë shumë konstruktive”, është shprehur ai.

Bajrami ka bërë me dije se tipare dalluese të PDK-së gjatë kësaj kohe kanë qenë largpamësia politike dhe hapja ndaj të gjitha subjekteve politike që në agjendë kanë pasur shtetndërtimin. “Fakti që PDK-ja po qeveris me LDK-në në këtë mandat është edhe një shfaqje përgjegjësie, sepse si parti fituese PDK-ja gjithmonë ka ofruar dorën e ndarjes së pushtetit me partnerët e tjerë”, ka thënë ai, duke shtuar se PDK-ja, edhe duke qenë në opozitë, ka ndërtuar standardin e pranimit të zgjedhjeve dhe standardin e ndërtimit të një opozite proaktive dhe konstruktive. Sipas Bajramit, kjo kulturë politike e PDK-së është një kulturë shtetërore pragmatike, e cila i duhet Kosovës.

Në këtë intervistë Bajrami ka folur edhe për sfidat, duke thënë se ky subjekt politik po bën maksimumin për t’u përshtatur me to. “Sfidat nëpër të cilat po kalon vendi ynë kërkojnë përshtatje dhe riorganizim karshi sfidave të reja. PDK-ja është në këtë proces, të ripërtrirjes, të reformimit të brendshëm, të profilizimit të plotë karshi opsionit të një partie të qendrës së djathtë”, ka thënë Bajrami