Sport

Barkley: Nuk kisha teste mjekësore tek asnjë ekip

Mesfushori i Everton, Ross Barkley ka përgënjeshtruar raportimet se ai iu kishte nënshtruar testeve mjekësore te Chelsea, para se t’i refuzonte ata.

Mediat angleze kishin raportuar se Chelsea dhe Everton, kishin arritur marrëveshje prej 35 milionë funta për anglezin, dhe se ai ishte duke kryer testet mjekësore në Cobham, por pastaj i refuzoi ata.

Ndërsa Barkley përmes postimeve në rrjetin social Twitter, ka bërë të ditur se nuk ka pasur teste mjekësore te asnjë ekip, por ofertat i ka refuzuar për shkak të lëndimit, raporton KosovaPress.

“Përkundër disa raportimeve nga mediat, unë nuk iu nënshtrova testeve mjekësore tek asnjë ekip. Thjesht, vendosa për shkak të lëndimit, do të jetë më mirë të marrë një vendim për të ardhmen dhe t’i shqyrtoj të gjitha mundësitë në janar, atëherë kur do të jem plotësisht i gatshëm për lojë”, ka thënë Barkley. /KosovaPress/