Ekonomi

BB e gatshme ta ndihmojë Kosovën

Përfaqësuesi i Bankës Botërore për Kosovë Marco Mantovanelli gjatë takimit me palët implementuese të projekteve përkatëse që financohen përmes huamarrjes nga Banka Botërore, ka deklaruar se BB ka qenë dhe do të jetë e gatshme që ta ndihmojë Kosovën në fusha të ndryshme të cilat ndikojnë në zhvillimin e Kosovës.

Në këtë takim të udhëhequr nga ministri i Financave Avdullah Hoti në prezencën e përfaqësuesit të Bankës Botërore, Marko Mantovaneli, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e Institucioneve implementuese të këtyre projekteve.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti duke falënderuar përfaqësuesin e Bankës Botërore, Marco Mantovaneli për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Qeverisë së Kosovës në financimin e projekteve në sektorë të ndryshëm por edhe përkrahje në forma tjera tha se janë mbledhur për të diskutuar rrjedhën e implementimit të projekteve që kanë me Bankën Botërore, projekteve aktive që kanë me Bankën Botërore, rezultatet e deritanishme për secilin projekt.

Sipas një komunikate të MF-së, Hoti ka thënë se takimet e rregullta si ky i sotmi po na ndihmojnë në identifikimin e sfidave dhe  tejkalimin e tyre, si dhe adresimin e tyre në institucionet përkatëse për implementimin e projekteve. Projektet e Qeverisë së Republikës së Kosovës me Bankën Botërore janë të rëndësisë së veçantë për qytetarët e vendit, pasi që prekin fushat me më së shumti interes për ta.

Ndërsa, përfaqësuesi i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli gjatë takimit me palët implementuese të projekteve përkatëse që financohen përmes huamarrjes nga Banka Botërore tha se BB ka qenë dhe do të jetë e gatshme që ta ndihmojë Kosovën në fusha të ndryshme të cilat ndikojnë në zhvillimin e Kosovës.

Projektet të cilat janë në implementim e sipër me BB-në

Projekti për efiçiencë në energji dhe energji të ripërtërishme në Kosovë (KEEREP), Projekti për përforcimin e sektorit financiar dhe infrastrukturën e tregut, Projekti për modernizimin e sektorit publik (PSMP), Projekti për regjistrimin e pronës së paluajtshme në kadastër (RECAP), Bujqësia dhe zhvillimi rural në Kosovë (ARD)  P112526, Projekti për përmirësim të sistemit të arsimit si dhe Projekti i shëndetësisë.