Sport

Behrami në finale, rrah edhe malazezin, edhe Ibishi në finalen e madhe

Kik-boksieri i Kosovës, Gëzim Behrami nuk ka të ndalur.

Behrami ka rrahur keq edhe malazezin Luka Petrusiq, duke siguruar finalen e madhe të Kampionatit Ballkanike të Kik-boksit që po mbahet në Bjelo Polje në Mal të Zi, raporton KosovaPress.

Behrami edhe në gjysmëfinale ka treguar formë të lartë, duke i dhënë goditje të njëpasnjëshme malazezit të cilin dy herë e qiti në nokdaun, duke fituar këtë duel që ishte një nga më të mirët që u zhvilluan në ditën e parë te këtij Kampionati.

Finalen e ka siguruar edhe Valdrin Ibishi që mundi Nikola Ratkoviqin nga Mali i Zi.

Ndërkaq, Donis Halimi humbi nga malazezi Luka Perusiq, por që siguroi medaljen e bronzte.

Paraqitjet e kik-boksierëve tonë në këtë eveniment sportive janë jashtëzakonisht të mira pasi që tashmë finalen e kanë siguruar tre kik-boksierë Dardan Menxhiqi, Gëzim Behrami e Valdrin Ibishi, të cilët nesër do të luftojnë për medalje të artë.

Përzgjedhësi i Kosovës, Lutfi Menxhiqi shprehet i kënaqur me paraqitjet e garuesve të tij.

“Para dy viteve jam deklaruar se në duhen dy vite pas pranimit në WAKO që të familjarizohem me rregullat e reja dhe kjo ndodhi, dhe tashmë sukseset po vijnë”, tha Menxhiqi.

“Nesër në tri finalet pres fitore dhe medalje te arta”, theksoi ai. /KosovaPress/