Aktuale

Bejli: Të zgjidhet kryeparlamentari dhe qeveria

Ambasadori amerikan, Xhes Bejli dorëzoi porosi të fuqishme ndaj presidentit George Ivanov që të zhbllokojë procesin e krijimit të qeverisë, duke thënë se veprimet e fundit që pengojnë zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri janë gjithashtu në kundërshtim me parimet demokratike dhe kushtetutën.

Bejli kujtoi se vijimi i proceseve demokratike dhe zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës janë rruga e vetme që shpien vendin drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

“Ka pasur zgjedhje të besueshme në dhjetor, kuvendi ka filluar punën, shumica parlamentare është formuar dhe mendojmë se nuk është në pajtueshmëri me parimet demokratike dhe Kushtetutën të mos lejohet procesi i formimi i qeverisë. Sigurisht, në fund kjo varet nga liderët politikë dhe në të vërtetë nga qytetarët e Maqedonisë ta lëvizin këtë përpara, por është kritike për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE, siç tha dje kryetari i Këshillit Evropian”,  tha  Bejli.

Edhe Aleanca e Atlantikut të Veriut pret respektimin e shumicës parlamentare. Kreu i Zyrës së NATO-s në Shkup gjithashtu tërhoqi vërejtjen për shmangien e retorikës nacionaliste dhe veprimeve që cenojnë marrëdhëniet ndëretnike.

“Aleanca dhe sekretari i Përgjithshëm gjithashtu iu bënë thirrje të gjitha partive t’i japin fund retorikës përçarëse dhe të shmangin veprimet që nxisin tensionet ndëretnike”, tha  Gorazd Bartol, kreu i zyrës së NATO-s në Shkup.

Ndryshe, përfaqësuesit ndërkombëtarë përsëritën edhe një herë se Maqedonia duhet t’i zgjidh vetë problemet dhe përmbush kushtet e parashtruara nga BE dhe NATO në mënyrë që të mund të mbështetet tek ato.