Aktuale

Bekim Jashari do ta udhëheqë Skenderajn veç me 13.111 vota

Bekim Jashari po shënon fitoren më të thellë në zgjedhje lokale që u mbajtën dje, me 85.59 për qind. Por, Skenderaj ishte komuna qytetarët e së cilës dolën më së paku në zgjedhje. Jashari do të udhëheq komunën me vetëm 13.111 vota.

Zgjedhjet lokale në Skenderaj u shënuan me befasi. Fillimisht, Partia Demokratike e Kosovës vendosi të mos ketë kandidat për kryetar në bastionin e përhershëm të saj, duke i dhënë përkrahje kandidatit të pavarur, Bekim Jasharit.

Sivjet në zgjedhjet lokale Skenderaj doli të jetë komuna me pjesëmarrjen më të ulët të votuesve.

Djali i Hamëz Jasharit, Bekimi, fitoi 85.59 për qind të votave të përgjithshme, por kjo përqindje përbën vetëm 13.111 vota. Kjo ngase këto zgjedhje drenicasit abstenuan në masë të madhe.

Në vitin 2013, në zgjedhje kishin dalë 40 për qind të qytetarëve me të drejtë vote, ku Sami Lushtaku i PDK’së kishte fituar afër 16 mijë votave.

Në Skenderaj këto zgjedhje lokale kanë votuar vetëm 31.84 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, duke qenë kjo pjesëmarrja më e ulët në nivel vendi.

the authorE B