Aktuale

Bënin propagandë për ISIS, policia arreston 4 shqiptarë

Policia njofton se në orët e mbrëmjes në kuadër të një operacioni rajonal Antiterror të zhvilluar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nga strukturat e specializuara të luftës kundër terrorizmit në Policinë e Shtetit janë ndaluar 4 shqiptarë si dhe janë shoqëruar 16 shtetas të tjerë, nga këta 5 të huaj dhe 11 shqiptarë.

Operacioni është drejtuar nga Drejtoria Antiterror në Policinë e Shtetit  bashkërendim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Shkodër, Dibër, Elbasan si dhe me Forcat e Lëvizshme Operacionale dhe është zhvilluar në qytetet Tiranë, Dibër, Shkodër dhe Elbasan.

Në përfundim të këtij operacioni u ndaluan shtetasit:

Xh. F, 34 vjeç, lindur e banues në Vranjt, Dibër.

B. P, 30 vjeç, lindur në Tiranë, banues në Shkodër.

E.F, 30 vjeç, lindur e banues në Shkodër.

M. H, 46 vjeç, lindur në Peshkopi, Dibër, me banim në Tiranë.

Ndalimi i tyre u bë pasi ata dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë jashtë vendit, propagandojnë nxitjen e urrejtjes, rekrutimin e personave për të shkuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS, mbështesin me logjistikë e financime këtë organizatë terroriste, si dhe mund të udhëtonin në zonat e konfliktit në vendet e Lindjes së Mesme.

Materialet për këta shtetas i janë referuar Prokurorisë për Krimet e Rënda për  veprat penale të “Veprave me qëllime terroriste”, “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve”, “Organizimi për pjesëmarrje në luftime luftarake në një shtet të huaj”.

Operacioni është në vijim dhe hetimet po ndiqen në dinamikë në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda.