Aktuale

Besim Beqaj nuk jep dorëheqje, ja çfarë thotë për aktakuzën në rastin ‘Pronto’

Pas akuzës që Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur ndaj ministrit të Inovacionit, Besim Beqaj, për aferën “Pronto”, ka reaguar ky i fundit.

Beqaj ka thënë se marrë parasysh zhvillimet politike në vend, këtë edhe e ka pritur, por se thotë se ka pritur të njoftohet zyrtarisht, transmeton lajmi.net.

Reagimi i plotë i Besim Beqajt drejtuar mediave:

Viti 2018 është viti i 15-të i punës sime si përgjegjës institucional i nivelit të lartë. Gjatë këtyre viteve, secilën pozitë e kam ushtruar me përgjegjësi profesionale dhe në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës dhe me standardet më të larta ndërkombëtare.

Sot nga mediat kam kuptuar se procesi hetimor lidhur me rastin e përgjimeve ka rezultuar me aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, gjë të cilën edhe e kam pritur, marrë parasysh zhvillimet politike në vend. Megjithatë, kam pritur që konform rregullave të njoftohem zyrtarisht nga organet përgjegjëse.

Unë, me vetëdije të plotë dhe në harmoni të plotë me ligjet e Kosovës i kam kryer detyrat e mia në zbatimin e politikave të Qeverisë së Kosovës. Punën e secilit zyrtar të lartë shtetëror e definojnë politikat qeveritare të paraqitura me program qeverisës dhe ligjet e zbatueshme në Kosovë. Ligjet e definojnë qartë përgjegjësinë institucionale për rastin në fjalë dhe kompetencat për vendimarrje institucionale. Konform këtyre ligjeve dhe politikave qeveritare unë jam plotësisht i bindur se në asnjë rrethanë nuk kam bërë shkelje ligjore dhe tejkalim të kompetencave institucionale e aq më pak keqpërdorim të tyre.

Unë, kam qenë dhe jam institucionalist dhe besoj se në Kosovë ka institucione të përgjegjshme dhe profesionale të cilat do e trajtojnë në hollësi rastin në fjalë. Unë jam i gatshëm, sikurse kam qenë deri më tani, të shpjegoj dhe të argumentoj secilin veprim timin politik dhe ligjor. Faktet e shkruara dhe dokumentet kanë gjithmonë më shumë vlerë se vlerësimet momentale dhe ato tendencioze.

Koha do të tregojë se të gjitha këto do të mbesin një histori e keqe për shtetndërtimin e Kosovës.