Aktuale

“Bijat i qesim, votat i shesim”, policia nis hetimet pas grafiteve fyese në shtëpinë e Adelina Graincës

Gjatë mbrëmjes së djeshme në pjesët e murit rrethues të shtëpisë ku banon deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca, disa persona të panjohur kanë shkruar grafite fyese.

Policia ka bërë të ditur se rasti është raportuar mbrëmë dhe se hetimet kanë filluar, raporton Express.

“Ferizaj 20.04.2021-21:55. Është raportuar se person-a të panjohur në disa lokacione kanë shkruar disa grafitë. Rasti vazhdon të hetohet.”

Adelina Grainca, u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës nga lista e Partisë Demokratike të Kosovës.

Por, rreth dy javë ditë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, në ditën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente, ajo zgjodhi të ndërronte subjektin politik. Kaloi nga radhët e PDK-së në Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti.

Pas këtyre grafiteve kanë reaguar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga PDK’ja që ta dënojnë, siç ka thënë, këtë akt të shëmtuar, duke thënë se nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë kjo është përgjigja për arsyen e largimit të Graincës nga PDK’ja.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar akuzat në lidhje me grafitet fyese për ish deputeten nga kjo parti.

Lulzim Grainca, biznesmen dhe xhaxhai i Adelinës, ka deklaruar se sapo të nxjerr video-incizimet e kamerave të sigurisë do të tregojë kush është autori i grafiteve./GazetaExpress/