Opinione

Bijat në vetura zyrtare dhe dashuri me buxhetin e shtetit

Lulzim Tafa

Ngjarja nuk fillon sot, nuk fillon me qeverinë e sotshme e as me qeverinë e kaluar, por në një periudhë që e quanim vetëqeverisje socialiste e klasës punëtore. Ngjarja e filluar atëherë, vazhdon edhe sot, e me gjasë edhe nesër.

E shtuna e parë, 1985

Një veturë zyrtare “Niva”, e njërit prej drejtorëve të ndërmarrjeve shoqërore të komunës së Lipjanit, një të shtune pasdite, “argatshtia” do ta kenë parë, që po i mblidhte bijat e shtëpisë të shpërndara anekënd komunës e ndoshta edhe më gjerë, për një aheng familjar-dasmë.

Ditën e hënë ngjarja ishte alarmuar. Kishin pasuar mbledhje urgjente këshillat e punëtorëve, sindikatat, aktivet e partisë së vetme etj., me arsyen e madhe se ishte shkelur djersa e klasës punëtore. E hëna pasdite nuk e kishte pritur drejtorin në pozitën që kishte. Ai u shkarkua se ashtu kërkoi zëri i klasës punëtore, thoshin atëkohë.

Nuk kishte qenë e vështirë për t’u konstatuar se ai i kishte bartur bijat me makinë të ndërmarrjes. Bijat e asaj kohe ishte lehtë për t’i identifikuar sepse bartnin veshje tradicionale, dhe kokat i kishin të mbuluara me shamia, po ashtu, se kishin nga një tufë fëmijësh me vete në vetura, që ua bënin me dorë këmbësorëve, sepse edhe kuptohej, udhëtimi me makinë për ta ishte ngjarje.

E shtuna e dytë, 2005

Diku në vitin 2005, derisa po kthehesha nga Shkupi, si për inatin tim, më ranë në sy edhe tri makina në atë kohë të qeverisë me targat KS dhe disa zero. Se ishin të qeverisë, padyshim, tregonin tabelat, formati, por edhe ngjyra.

Edhe aty me ra në sy se përveç që ishte e shtunë, ato makina kishin brenda gra e fëmijë, që nuk ishte e vështirë të konstatohej se nuk ishin për punë zyrtare dhe se gratë e respektuara nuk ishin punëtore të qeverisë, e sidomos fëmijët nuk e besoj se ishin fëmijë të qeverisë.

E shtuna e tretë, 2011

Këta “problematikët” e KLAN-Kosovës e morën me kamerë, si për koincidencë të dreqit, përsëri një të shtune të muajit korrik 2011: një beqar të qeverisë që thanë se ishte i Ministrisë së Shëndetësisë. Beqari i qeverisë, makinën e qeverisë e kishte afruar fare buzë ujit të Batllavës, dhe me të dashurën e tij kishin filluar meditimin mbi ujë. Të them të drejtën puthjet dhe prekjet e tyre nuk më interesuan, sepse as nuk janë qëllim i këtij shkrimi, zoti i ruajt, shumë mirë që duhen dhe kalojnë bukur, madje edhe kushtet i kanë.

Shpresoj se nuk do të ma marrë kush për të keq se unë qenkam kundër dashurisë, përkundrazi, por e pata hallin te mijëra e mijëra të rinj të tjerë të Kosovës të cilët duhen e që nuk kanë makinat e qeverisë për t’i vozitur, për ta vizituar Batllaven, Gërminë etj.

Çfarë pabarazie shoqërore, mendova. Thjesht, nuk i kanë kushtet, ose edhe ata që i kanë këto kushte nuk ia ndjejnë shumë kënaqësinë, sepse duhet që vetë të kujdesen për shpenzimet eventuale, që edhe mund t’i ketë dashuria si: Coca – colën, akulloren, derivatet e shtrenjta etj., pra, janë të detyruar për shkak të pabarazisë shoqërore të çojnë dashuri me buxhet të vetin, e jo si ai kolegu i tyre që çon dashuri me buxhetin e shtetit, që s’ka nevojë të kujdeset as për karburant, e besa, ai tip i veturës mund t’i shërbejë edhe si një garsoniere apo dhomë e improvizuar e motelit.

Të them të drejtën, bijat në makinat zyrtare më bëjnë nervoz, kurse dashuria me buxhet të shtetit nuk kish me qenë edhe fare problem, vetëm se unë po e teproj ndoshta pak, se fundi i fundit, çfarë qeverie është ajo që nuk e financon dashurinë.

Duke e përfunduar këtë rrëfim për këto të shtuna, kthehem me vete te viti 1985 dhe them se sa mirë që nuk ka më këshilla të punëtorëve, sindikata të atilla, parti që ta fikë derën, dhe të them të drejtën, është mirë që nuk e kemi as vetëqeverisje socialiste, por është keq që nuk kemi as kulturë ligji e shteti.