Aktuale

Bllokohen banorët e lagjes Mati 1, kompania nis punimet në rrugën e tyre (Foto)

Banorëve të kompleksit banesor “Dafina” në lagjen Mati 1 u është bllokuar nga mbrëmë rruga e cila ka dalje në rrugën kryesore B nga një kompani e cila ka nisur ndërtimet në atë pjesë.

Banorët mbrëmë kanë protestuar kundër këtij vendimi të papritur duke kërkuar që të mos u bllokohet rruga të cilën ka më shumë se 7 vite që e shfrytëzojnë.

Zyrtarë të kompanisë “AgroTrade” e cila e ka bllokuar rrugën me pengesa të betonit kanë deklaruar për Teleskopi.net se ajo pjesë është në parcelën e tyre dhe se nuk figuron askund si rrugë.

“Me kërkesë të kryetarit të komunës Shpend Ahmeti duhet të rrethohet punishtja, për shkak të evitimit të ndonjë fatkeqësie, apo diçka tjetër. Protestuesit mund të drejtohen në inspektorat, ndërsa rruga për atë pjesë është më lartë, edhe pse ata e kanë shfrytëzuar deri më tash. Ajo rrugë është në parcelën tonë dhe prej kur është marrë leja ndërtimore ajo nuk figuron si rrugë. Për momentin nuk mund të kalojë askush”, kanë thënë zyrtarë të investuesit Agrotrade.

Arbresh.info merr vesh se aktualisht në komunën e Prishtinës është duke u mbajtur një takim mes udhëheqësve komunalë dhe përfaqësuesve të kompanisë “Standardi” e “AgroTrade” në lidhje me këtë çështje.

E zyrtarë të kompanisë “Standardi” e cila e ka ndërtuar kompleksin “Dafina” kanë thënë në një përgjigje të shkurtër për Arbresh.info se nuk mund të japin për momentin më shumë detaje për shkak të takimit që po mbahet mirëpo siç thanë, ajo rrugë do të jetë përsëri e qarkullueshme.

“Nuk mund të jap informata, tani kanë një takim në komunë të shohim çfarë po ndodh por ajo prapë se prapë do të jetë e qarkullueshme, nuk i ka hije të bllokojnë kompleksin më të kompletuar në Prishtinë me norma të ndërtimit”, kanë thënë zyrtarë të “Standard”.

Arbresh.info ka dërguar pyetje edhe në zyrën për Informim të Komunës së Prishtinës për të marrë qëndrimin e komunës në lidhje me këtë çështje mirëpo ende nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Artan Dreshaj, përfaqësues i banorëve të kompleksit “Dafina” ka bërë të ditur në llogarinë e tij në Facebook se kanë pasur sot një takim me Inspektoratin e komunës së Prishtinës, ndërkaq, po ashtu sot në ora 13:00 do të zhvillohet një takim edhe me zyrën e Urbanizmit./Arbresh.info.