Sport

Borea po merr dominimin në qytetin e Pejës

Borea ka bërë një hap të madh drejt sigurimit të ekzistencës në IP Superligën e Kosovës në basketboll.

Borea ka mposhtur Trepçën të shtunën për të bërë po ashtu hapin tjetër drejt shndërrimit në skuadrën kryesore të qytetit të Pejës, që për shumë njerëz në vend është qytet i basketbollit.Borea tani ka 24 pikë në vendin e shtatë, sa i ka edhe Peja në të gjashtin. E fundit është Kerasan Prishtina me 23 pikë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Peja, njëra prej top-skuadrave të basketbollit në vend po kalon çastet më të vështira prej themelimit.Ka mbetur vetëm me lojtarë vendorë, kryesisht të rinj, dhe në krizë të thellë financiare. Për këtë ngadalë po rrëshqet drejt kategorisë së dytë. Gara për ekzistencë pritet të zhvillohet deri në fund në mes këtyre tri skuadrave.

Borea ka bërë hap të rëndësishëm për vete, ndërsa ka goditur fuqishëm shpresat e Trepçës për t’u ngritur në vendin e katërt dhe të fundit që dërgon në plejof. Trepça mbetet e pesta me 27 pikë, dy më pak se Golden Eagle Ylli që është i katërti.

Rahoveci është i treti me 30 pikë, Bashkimi i dyti me 33, kurse Sigal Prishtina ka fituar të gjitha 19 ndeshjet dhe prinë me 38 pikë.