Aktuale

Boroci: Skena politike ka nevojë për ndërrim të gjeneratës

Kandidati për deputet i AKR-së, Sami Boroci mendon që skema politike e vendit ka nevojë për ndërrim të gjeneratës. Boroci u zotua se AKR për qytetarët e Kosovës ofron program zhvillimor ekonomik.

Boroci është shprehur se koalicioni LDK-AKR-Alternativa është shumë i natyrshëm dhe se kanë ndërtuar një front të përbashkët që ta lënë PDK-në në opozitë.

“Koalicion i natyrshëm është edhe koalicioni që Aleanca Kosova e Re ka ndërtuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi duke parë nevojën për një koalicion të tillë edhe duke parë afërsinë programore që kemi veçanërisht me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe duke dashtë që Partinë Demokratike më në fund në opozitë, ne kemi ndërtuar një front të përbashkët ne kemi ndërtuar një koalicion. Ky koalicion mendoj që është koalicioni që para qytetarëve të Kosovës ofron programin dhe listën dhe njerëzit, ekspert më të mirë që qytetari ka pasur më herët mundësinë për me zgjedh”, tha Boroci.

Ai shtoi se nëse ky koalicion del fitues në zgjedhjet e 11 qershorit dikasteret kyçe të ekonomisë do të udhëhiqen nga Aleanca Kosova e Re.

Si AKR kemi negociuar shumë kujdesshëm … me partnerët tonë të koalicionit. Ka qenë shumë e rëndësishme për neve që brenda këtij koalicioni ne të realizojmë ose implemetojmë programin tonë, veçanërisht programin tonë ekonomik. Mund të them lirisht se kemi gjetur një akordim me partnerët e koalicionit veçanërisht me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por edhe me partnerët tjerë që ky program të përfshihet, tani më është pjesë e kampanjës tonë, ose pjesë e ofertës politike që ne i kemi ofruar qytetarit”, tha Boroci.

Boroci ka folur edhe për ngjarjet që kanë ndodhur në Kuvend gjatë mandatit të kaluar të cilat i ka cilësuar të pahijshme.

Ai shtoi se do të jetë një zë kritik në Kuvend nëse zgjidhet deputet i legjislaturës së ardhshme. Ndër qëllimet kryesore të tij do të jetë fuqizimi i rinisë së vendit.

“Ndërsa unë mendoj që do të kem një qasje krejt të re një qasje krejt ndryshe prej njerëzve që kanë bërë politikë …Unë do të angazhohem fuqishëm mendoj brenda Kuvendit të Kosovës që të jem një parlamentar i devotshëm, një parlamentar i cili angazhohet për fuqizimin veçanërisht të të rinjve në institucionet qendrore dhe lokale dhe po ashtu për fuqizimin e rinisë përgjithësisht në shoqërinë tonë. Është shumë e rëndësishme që ne të fokusohemi në aspektin e rritjes së cilësisë së edukimit, rritjes ose nxitjes së ndërmarrësisë veçanërisht për të rinjtë po ashtu edhe disa kauza që I kemi ne si të rinjtë, që është lëvizja e lirë….Do të jem edhe një zë kritik atëherë kur është e nevojshme por në momente të caktuara mendoj do të jem edhe mjaftë konstruktiv“, shtoi Boroci.

Sami Boroci është asamblist në komunën e Prishtinës. Partneritetin me Lëvizjen Vetëvendosje sipas tij ka sjellë rezultatet të kënaqshme. Boroci tha se nga kjo pozitë është munduar që problemet e qytetarëve të kësaj komune t’i adresojë në Kuvend.

Lidhur me përzgjedhjen e tij si kandidat për deputet nga udhëheqësit e këtij subjekti politik, Boroci tha se kontributet e tij që ka dhënë për zhvillimin e kësaj partie kanë bërë që të jetë i zgjedhur për këtë listë.

Borocia u zotua se si një deputet i ri në Kuvendin e Kosovës do të sjell energji të re në skenën politike dhe problemeve të qytetarëve do të mundohet t’iu ofroj zgjidhje.

“Qytetari duhet me më votua mua se e para unë jam politikë për me ndërruare thashë edhe më herët qasjen brenda politikës ose brenda politikëbërjes edhe institucionet. E dyta unë do të jem një deputet ose parlamentar shumë konstruktiv do të angazhohem që problemet e njerëzve e qytetarëve me i adresuar me i zgjidh”, u shpreh Boroci.

Kandidati për deputet, Sami Boroci ka numrin 52 në listën e përbashkët të LDK-AKR dhe Alternativa. /kp