Rajon & Botë

Bota dënon sulmin me armë kimike të kryer nga regjimi i Asadit

Mbi 100 civilë u vranë dhe rreth 500 të tjerë morën plagë në sulmin e kryer me armë kimike nga forcat e regjimit në provincën siriane Idlib, e cila kontrollohet nga opozita

Liderë të shumtë nga mbarë bota kanë reaguar ndaj sulmit me armë kimike nga regjimi i Asadit, në të cilin humbën jetën më shumë se 100 civilë dhe mbi 500 të tjerë morën plagë.

Trump: Sulmi mizor nuk mund të injorohet nga bota e civilizuar

Presidenti amerikan Donald Trump ka dënuar sulmin me armë kimike të kryer nga regjimi i Bashar Asadit në Siri, duke porositur: “Nuk mund të injorohet nga bota e qytetëruar sulmi mizor me armë kimike në Siri, i cili ka pasur në objektiv njerëzit e pafajshëm, duke përfshirë në mesin e tyre gratë dhe fëmijët”.

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, tha se Rusia dhe Irani si aleatët kryesorë të Assadit dhe garantues të procesit të armëpushimit në Astana, “bartin përgjegjësi të madhe” për sulmin në Idlib të Sirisë.

Mogherini: Regjimi i Assadit, përgjegjës për sulmin kimik

Shefja për politikë të jashtme në BE, Federica Mogherini, ka thënë se regjimi i Bashar al-Assadit është përgjegjësi kryesor për sulmin kimik që la të vrarë dhjetëra persona në Siri.

“Ky lajm është i tmerrshëm”, është shprehur ajo në një prononcim për mediet në Bruksel.

Veç tjerash shefja për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se qëndrimi në pushtet i presidentit aktual sirian, Bashar al-Assad, edhe pas përfundimit të luftës në Siri do të ishte joreale.

“Duket plotësisht joreale të besojmë se e ardhmja e Sirisë do të jetë krejtësisht e njëjtë, sikurse ka qenë në të kaluarën”, ka deklaruar Mogherini në fjalimin e saj.

Jonson: Assadi qëndron prapa sulmit kimik

Të gjitha provat flasin se regjimi i Bashar al-Assadit qëndron prapa sulmit kimik të së martës në veri të Sirisë, deklaroi të mërkurën sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson.

Komentet e tij u bënë me të arritur në Bruksel, ku Johnson do të marrë pjesë në konferencën BE/OKB për Sirinë.

“Mbretëria e Bashkuar dënon përdorimin e armëve, pavarësisht se nga kush dhe ku janë përdorur, prandaj do të vazhdojmë t’i kryesojmë përpjekjet ndërkombëtare për t’i dënuar autorët”, tha Johnson në një deklaratë të mëparshme.

“Nëse dëshmohet se kjo është një vepër e regjimit atëherë do ta paraqes një dëshmi tjetër për mizoritë e kryera kundër popullit sirian gjatë gjashtë viteve të konfliktit të tmerrshëm”, shtoi ai.

Ndërsa presidenti i Francës, Francois Hollande, tha se presidenti Assad e bart përgjegjësinë për këtë “masakër” dhe ka bërë thirrje për “ata që e mbështesin këtë regjim, që përsëri të reflektojnë për këtë mizori të përgjegjësisë së tyre politike, strategjike dhe morale”.

Papa Françesku denoncon masakrën në Siri

Papa Françesku e ka quajtur sulmin me armë kimike në Siri, i cili vrau dhjetëra persona, duke përfshirë shumë fëmijë, si “një masakër të papranueshme”.

Papa tha të mërkurën gjatë audiencës së tij se ai ishte “i tmerruar nga ngjarjet e fundit në Siri” dhe theksoi se “dënon me forcë masakrën e papranueshme”. Ai i bëri thirrje “të ndërgjegjësohen ata që janë me përgjegjësi politike si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar që ta ndalojnë këtë tragjedi dhe të sjellin lehtësim për këtë popullsi që për një kohë të gjatë është i përfshirë nga lufta”.

Kreu i Vatikanit gjithashtu inkurajoi ato që dërgojnë ndihma për popullatën e goditur “edhe në mesin e pasigurisë dhe të parehatisë”.

Kazakistani dënon sulmin me armë kimike

Ministri i Jashtëm i Kazakistanit, Kayrat Abdrahmanov, reagoi kundër sulmit me armë kimike të regjimit Asad në qytetin Idlib të Sirisë.

Abdrahmanov në fjalimin e tij gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve në ndërtesën e Ministrisë së Jashtme foli edhe për sulmin terrorist në qytetin Shën Petersburg të Rusisë dhe sulmin me armë kimike në Siri.

Duke theksuar se Kazakistani i dënon këto sulme, Abdrahmanov tha se “Kazakistani po e ndien përgjegjësinë dhe peshën e tyre. Ne jemi në dijeni të asaj që pritet si rezultat i përdorimit të këtyre substancave”.

Ai rikujtoi se edhe në Kazakistan me vite të tëra janë bërë testimet bërthamore. Abdrahmanov tha se shteti i tij do ta forcojë edhe më tej qëndrimin për një botë pa armë bërthamore dhe se do ta vazhdojë luftën kundër terrorizmit.

Sipas tij, bota po kalon një periudhë të vështirë dhe se në këtë situatë ka nevojë për shërbimet e diplomatëve si në nivelin rajonal ashtu edhe në atë global. Mbi 100 civilë u vranë dhe rreth 500 të tjerë morën plagë në sulmin e kryer me armë kimike nga forcat e regjimit në provincën siriane Idlib, që kontrollohet nga opozita.