Aktuale

Bota pi më pak duhan! OBSH: Fushata antiduhan po jep rezultate

“Numri i konsumuesve meshkuj të duhanit ka shënuar rënie për të parën herë”, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë duke e cilësuar këtë një arritje të rëndësishme në përpjekjet kundër varësisë vdekjeprurëse nga duhani.

Numri i femrave duhanpirëse ndërkohë ka ardhur në rënie të vazhdueshme, prej disa vitesh. Por, përdorimi i duhanit mes meshkujve, që përbëjnë edhe numrin më të madh të duhanpirësve, deri më tani ka qenë në rritje. Në një raport të fundit organizata përshëndeti fillimin e rënies duke e quajtur atë një tregues efikas se fushatat anti duhan në të gjithë globin kanë filluar të japin frute.

Por, ajo paralajmëroi se akoma më shumë punë duhet për të luftuar varësinë që përllogaritet se vret rreth tetë milionë njerëz në vit.

Gjatë dy dekadave të kaluara, përdorimi global i duhanit ka shënuar rënie të ngadaltë, nga 1.397 miliardë përdorues në 2000, në 1.337 miliardë në 2018. Kjo do të thotë se rreth 60 milionë njerëz më pak përdorin duhanin dhe produktet e tij edhe pse popullata në botë është zgjeruar.  Por ky reduktim është shkaktuar kryesisht nga rënia e numrit të femrave që konsumojnë duhanin, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë me numrin e këtyre të fundit tani që ka rënë nga 346 milionë në 2000, në 244 milionë, vitin e kaluar.

Në të njëjtën periudhë, numri i meshkujve që përdorin duhanin është rritur me 40 milionë, nga 1.05 miliardë në 1.093 miliardë.

the authorGazetaKNN