Sport

Botërori ‘Rusia 2018’, ngjarje që nuk duhet shmangur

Kampionati botëror i futbollit “Rusia 2018”, i cili ka nisur ditën e enjte, po ndiqet me interesim edhe nga të rinjtë, dashamirë të futbollit, në Kosovë.
Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se nuk duhet lëshuar mundësia për të përcjellë një eveniment i tillë që mbahet çdo katër vjet.

“Duhet me përcjellë sepse luajnë kombëtaret më të mira në rruzullin tokësor. Kjo është arsyeja dhe arsyeja tjetër është se futbolli është sport atraktiv, interesant, që ia vlen me shiku”, thotë Petrit Rudi, student.

“Ia vlen me shiku, është një garë një herë në katër vjet. Është një eveniment botëror”, thotë Artan Zeqa.

Ata, gjithashtu, kanë favoritët e tyre në këtë kampionat, prej të cilëve presin suksese.

“Mua më pëlqen Gjermania, edhe si shtet, edhe në futboll janë shumë të mirë. Dhe unë shpresoj se edhe Kosova ka me marrë pjesë një ditë dhe shpresoj se do të luajë edhe në finale“, thotë Lirije Gashi, studente.

E Suzana Hajredini thotë se pasi që Shqipëria nuk është kualifikuar është me Zvicrën pasi në këtë kombëtare ka shumë shqiptarë.

Kurse, Artan Zeqa tha se kombëtarja e tij e favorizuar nuk merr pjesë në këtë kampionat – Italia.

E Lindi Mahmuti thotë se ekipi i tij i favorizuar është Argjentina. Por, sipas tij, Argjentina, Brazili e Franca janë favoritë për këtë kampionat.

Kampionati botëror “Rusia 2018” është i 21-ti me radhë.

Në të po marrin pjesë 32 shtete nga të gjitha kontinentet.

https://www.evropaelire.org/a/29290538.html