Aktuale

Britania ndihmon në zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë së madhe e kanë lansuar projektin për zbardhjen e fatit të të pagjeturve me të cilin kanë premtuar që do të ofrojnë përkrahje në fushë ligjore dhe të forenzikës në këtë drejtim.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se kjo përkrahje është rezultat i vizitës së princit Charls në Kosovë , i cili tregoi një kujdes dhe dhimbje të veçantë për personat e pagjetur dhe për familjarët e tyre.

 

“Gjithë ne ndjehemi shumë keq për 1660 persona të cilët akoma kërkohen dhe nuk janë gjet. Ne e vlerësojmë lartë gatishmërinë dhe përkrahjen Mbretërisë së Bashkuar që përmes këtij projekti të trajtohen disa prej fushave q janë mjaft të rëndësishme siç është ajo e fuqizimit të kapaciteteve institucionale, zbatimit, vlerësimit me qëllim të plotësimit të infrastrukturës ligjore dhe rritjes së rezultateve përmes rritjes së bashkëpunimit në mes të akterëve kryesor vendor dhe atyre ndërkombëtare sepse gjithmonë jemi të interesuar sa më shumë të kyçur faktorin ndërkombëtare në ndriçimin e këtyre rasteve. Unë vetëm dëshiroj të ju them se çështja e personave të pagjetur mbetet plagë e rëndë e Kosovarëve, e shtetit ët Kosovës dhe jo vetëm e familjeve të tyre dhe jo vetëm e komisioneve dhe njerëzve të cilët punojnë drejtë për së drejti me këto çështje dhe se qeve ria e Kosovës do të vazhdoj të përkrah plotësisht punën e institucioneve që merren me këtë fushë”, tha ai.

Kurse, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, tha se nëse nuk shërohen plagët e luftës do të jetë e vështirë të ndërtohet e paqja.

 

“Nuk mund të bëjmë një dallim dhe të themi se dhimbet e pasojat e luftës i takojnë vetëm të kaluarës por nëse këto plagë nuk shërohen kurrë dhe mbesin të hapura,  atëherë do të jetë shumë e vështirë të flasim për këto gjëra për të cilat do të mos pajtohemi edhe në të ardhmen,  dhe nëse këto plagë nuk shërohen do të jetë e vështirë të ndërtohet paqja.  Disa nga ju mund të dinë se kur princi i Uellsit e ka vizituar Kosovën i ka takuar disa njerëz që kanë persona të pagjetur dhe lartmadhëria e tij ka qenë shumë i prekur nga ngjarjet dhe tregimet e tyre dhe ka kërkuar që të ju ndihmojmë si të mundemi. Kam frikë se procesi për gjetjen e personave të pagjetur ka stagnuar, mund të bëhet më shumë në këtë fushë”, tha ai.

Kurse, Florian Dushi tha se me përfundimin e luftës në vendin tonë nuk kanë përfunduar edhe plagët e popullit të Kosovës, andaj theksoi se çështja e të pagjeturve duhet të zbardhet sa më parë.

 

“Lufta në Kosovë përfundoi gati 18 vite më parë,  falë ndërhyrjes së aleancës së NATO-s. Kjo ndërhyrje e botës demokratike në Kosovë ndali luftën por fatkeqësisht jo edhe dhimbjet dhe vuajtjet e qytetarëve tanë të cilat ata i përjetojnë edhe sot e kësaj dite për familjarët e tyre të pagjetur. Për këtë arsye, angazhimi ynë i përbashkët, presioni më i madh i faktorit ndërkombëtar tek përgjegjësit është i domosdoshëm nëse duam që kjo temë të mbyllet një herë e përgjithmonë dhe sa më parë”, theksoi ai.

Me projektin për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, Britania e Madhe do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve ligjore dhe infrastrukturore në mënyrë që shteti ynë të përfundoj sa më parë këtë proces./KP