Rajon & Botë

Britania shënon rënie të numrit ditor të viktimave të Covid-19

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Britani të Madhe janë shënuar 230 viktima të koronavirusit. Kjo shifër ishte më e ulët se ajo që u shënua një ditë më parë.

Në kuadër të këtij numri, 166 të vdekur u shënuan në Angli, 50 në Skoci dhe 14 në Uells. Irlanda Veriore ende nuk e ka publikuar shifrën për ditën e mërkurë, shkruan “Metro UK”, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, kjo shifër është preliminare, ndërsa numri zyrtar i viktimave do të publikohet më vonë nga qeveria britanike, kur do të llogariten edhe rastet fatale jashtë spitaleve, siç janë ato që ndodhin në shtëpitë e të moshuarve.

Shifra e re u publikua pasi kryeministri britanik, Boris Johnson, njoftoi se 181 punëtorë shëndetësorë dhe 131 punëtorë të kujdesit social kanë vdekur deri më tani nga Covid-19.

Sipas statistikave zyrtare të qeverisë, numri i përgjithshëm i viktimave deri të martën ka shkuar në35,341. Megjithatë, të dhënat e Zyrës për Statistika Kombëtare tregojnë se kjo shifër tashmë mund të ketë shkuar në gati 55 mijë, ku përfshihen edhe rastet e dyshimta.

Britania është vendi i dytë në botë sa i përket numrit më të madh të viktimave, pas Shteteve të Bashkuara, dhe në vendin e tretë për shifrën më të lartë të të infektuarve, pas Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.