Sport

Bunjaki: Na dhimben tifozët që kanë ardhur me pa lojën

Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki pas ndërprerjes së takimit Kroaci-Kosovë, për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, ka thënë se UEFA vendos nesër se kur do të zhvillohet takimi, ndërsa ka shprehur dëshirën që për shkak të tifozëve të shumë që kanë shkuar ta përcjellin takimin do të ishte mirë të luhet nesër.

“Unë i informova lojtarët që është e mundshme që loja nesër do të luhet, edhe pse mendoj që është mjaft vështirë, por do të tentojmë, duke pasur parasysh që e kemi një grup të madh të tifozëve që kanë ardhur nga SHBA-të, nga Kanada, nga Kosova dhe vende tjera. Po ashtu do të kemi parasysh se është edhe një lojë kundër Finlandës, Kroacia e ka kundër Turqisë, janë lojë mjaft të vështira, parapërgatitjet, koha, termini i kohës, udhëtimet. Do të shohim, do të presim vendimet, nëse luhet atëherë do të luajmë, nëse jo, atëherë do të udhëtojmë për Shkodër”, tha Bunjaki.

Ai ka deklaruar se nëse nesër zhvillohet takimi do të ishte mirë që të luhet në mesditë, mirëpo në bazë të raporteve që kanë marrë edhe nesër do të ketë shi në Zagreb, raporton KosovaPress.

“Për të mirë të futbollit, ndoshta nuk është mirë me mëndu me lu në këtë moment, mirëpo na dhimben edhe tifozët që kanë ardhur me pa këtë lojë. Do të përpiqemi nëse është e mundshme mirë, nëse jo atëherë do të shkojmë”, tha Bunjaki.

Në lidhje më ndërprerjen e lojës dhe mundësinë që të ndikojë te lojtarët, ai ka thënë se është një rast më specifik, por me lojtarët ka qenë i hapur gjatë tërë kohës, u ka treguar që mund të luhet loja nesër.

“Kjo lojë të shtyhet për një datë tjetër, pasi brenda 72 orëve kemi lojën tjetër, pastaj kemi udhëtimet, nesër në ora gjashtë udhëtojmë për në Lubjanë dhe nga aty për në Tiranë. Por për këtë le të vendosin delegatët e lojës, presim edhe vendimin e UEFA-s”, tha Bunjaki për media.

Takimi u ndërpre në minutën e 21-të, pasi fusha në “Maksimir Arena” ishte e mbushur me ujë, par shkak të reshjeve të shiut të mëdha.

Udhëtimin e gazetarëve që e përcjellin këtë ndeshje e ka mundësuar Shoqata e Gazetareve Sportiv të Kosovës bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Agjencinë “Vas tour”./KosovaPress/