Aktuale

Bylykbashi: Zgjedhjet mund të zhvillohen edhe pas 9 shtatorit

Mosmarrëveshjet mes palëve për mundësinë e shtyrjes së datës zgjedhjeve kanë nxitur sot deputetin e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, që përmes një postimi në rrjetet sociale të japë një shpjegim ligjor për këtë situate.

Sipas Bylykbashit, zgjedhjet mund te zhvillohen edhe pas datës 9 shtator dhe kjo mund te rregullohet me një dispozitë tranzitor

Bylykbashi që është dhe një nga bashkëhartuesit e Kodit Zgjedhor, thotë se Kushtetuta nuk cakton asnjë datë për zhvillimin e zgjedhjeve. Kushtetuta përcakton rregullin që llogarit vetëm fundin e mandatit i cili është data 9 shtator 2017 (Kushtetuta neni 65, pika 1). Kushtetuta përcakton gjithashtu, se zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit, pra që i paraprin 9 shtatorit. Kushtetuta përcakton se periudha zgjedhore përcaktohet nga Kodi Zgjedhor. (Kushtetuta neni 65, pika 2). Pra e vetmja gjë që detyron Kushtetuta është që data e zgjedhjeve të caktohet para fundit të mandatit. Pikë!”

Ai sqaron më tej se periudhat zgjedhore në Kodin Zgjedhor (pra në ligj dhe jo në Kushtetutë) janë dy: e pranverës 15 mars – 30 qershor dhe e vjeshtës 15 shtator – 30 nëntor. “Presidenti mund të caktonte datën në një nga dy të dielat e fundit të periudhës zgjedhore që i paraprin 9 shtatorit (Kodi Zgjedhor nenet 8 dhe 9), pra ose 18 ose 25 korrik 2017. Presidenti zgjodhi datën 18 qershor. Pra data është thjesht ligjore dhe jo kushtetuese. Nëse Kodi do të caktonte një periudhë tjetër para 9 shtatorit, data do të ishte një tjetër dhe jo 18 qershori”, thuhet në shpjegimin e deputetit të PD-së.

Bylykbashi thekson më tej se “nëse parlamenti vendos që për këto zgjedhje apo gjithmonë, periudha e zgjedhjeve të jetë një periudhë tjetër, mund ta ndryshojë Kodin tani me vetëm 84 vota dhe pa ndryshuar Kushtetutën. Dhe parlamenti mund të caktojë çdo të dielë deri më 3 shtator si datë të zgjedhjeve, vetëm duke ndryshuar ligjin pa patur nevojë të ndryshojë Kushtetutën”.

“A mund të zhvillohen zgjedhjet pas datës 9 shtator? Po! Mjafton një dispozitë tranzitore e thjeshtë që është shumë më pak e shëmtuar se ai aneksi i tmerrshëm që u miratua për reformën në drejtësi që nuk e ka asnjë kushtetutë e botës. Kur deshi Rama të shtynte zgjedhjet me sebepin e çertifikatave, në 2007-n Kodi u ndryshua për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet ishin dekretuar për datën 20 janar 2007, më date 13 janar u ndryshua ligji që detyronte presidentin të dekretonte një date të re jo më vonë se 20 shkurt 2007. Presidenti i dekretoi për datën 18 shkurt 2007. Nëse nuk e mbani mend, shihni këtë foto. Ndërsa Kryeministri dhe analisti të lexojnë nenet më sipër dhe Kodin Zgjedhor, përfundon postimin e tij deputeti demokrat.